Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka kthyer luftën në Europë, dhe ka hedhur dritë mbi aftësitë mbrojtëse të NATO-s dhe Europës. Tani është duke u bërë armatosja, janë duke u përgatitur strategji të reja mbrojtjeje. Këtu bën pjesë mbrojtja nga sulmet e mundshme të raketave ruse, nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe arrin tek një konfrontim me Moskën.
Pjesëmarrëse 19 vende europiane
Por mburoja mbrojtëse e NATO-s për Europën ka të çara që pritet të mbyllen nga sistemi i mbrojtjes ajrore, European Sky Shield Initiative, ESSI, propozuar nga Gjermania më tetor 2022. 15 vende nënshkruan në atë kohë një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel, për të krijuar një mbrojtje europiane nga ajri. Krah Gjermanisë, nënshkruan Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Rumania, si dhe Sllovakia, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më vonë nismës iu bashkuan edhe Danimarka, Suedia, Austria dhe Zvicra.
Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) foli për “fitore të sigurisë për gjithë Europën dhe argumentoi se mbrojtja ajrore europiane është me kosto më të ulët dhe me aftësi më të mëdha, se sa çdo shtet të ngrejë mbrojtjen vet, që kushton shumë dhe është komplekse. Franca, Italia dhe Polonia nuk marrin pjesë në këtë nismë. Parisi kritikoi duke thënë se ky nuk është një projekt i pastër europian, sepse pritet të blihet teknologji nga Izraeli dhe SHBA.
Synimi i Sky Shield është të krijojë sisteme mbrojtëse sa më të koordinuara, me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë për të shmangur çdo lloj rreziku që mund të vijë nga ajri. Ministria gjermane e Mbrojtjes, përcakton në faqen e saj të internetit, si rreze të shkurtër një distantë prej 15 kilometrash dhe një lartësi maksimale prej 6 kilometrash. Rrezja e mesme, sipas saj, është 15 deri 50 kilometra larg dhe deri 25 kilometra lartësi; rrezja e madhe është më shumë se 50 kilometra larg dhe deri 35 kilometra lartësi.
IRIS-T për mbrojtje nga sulmet me dronë
“Në të tre nga këto fusha ekzistojnë të çara, që mendohet të mbyllen nga ESSI, përkatësisht mundësitë ekzistojnë tashmë, por ato duhen forcuar ose shtuar,” shkruan ministria gjermane e Mbrojtjes.
Për rrezet e shkurtra deri të mesme sistemet ekzistuese të mbrojtjes duhen zëvendësuar nga sistemet moderne të IRIS-T. Ky sistem i prodhuar në Gjermani, mund të sigurojë mbrojtjen nga raketat, raketat drejtuese, dronët, avionët dhe helikopterët në një largësi deri 40 kilometra dhe lartësi deri 20 kilometra.
Në qershor të 2023, Komisioni i buxhetit të Parlamentit gjerman, Bundestag dha dritën jeshile për krijimin e gjashtë njësive të tilla. Deri tani IRIS-T nuk është vënë në përdorim nga ushtria gjermane. Por forcat ajrore gjermane janë të ushtruara me këtë sistem, sepse kanë bërë trajnimin e ushtarëve ukrainas. Gjermania i ka dhënë deri tani dy njësi të tilla Ukrainës.
Për mbrojtjen ajrore më të shtrirë, ushtria gjermane, Bundeswehr, ka në dispozicion sistemin Patriot të armëve (Phased Array Tracking Radar to Intercept on Target), i cili është ende efektiv por duhet modernizuar. Ky sistem amerikan që bën nga toka mbrojtjen ajrore kundër raketave, përdoret kundër avionëve, raketave të drejtuara dhe raketave me rreze të mesme veprimi. Mbas vitit 1984, Patriot është vënë në përdorim nga shumë forca të armatosura, përfshirë edhe Bundeswehrin gjerman.
Përmirësime duhen bërë sidomos në mbrojtjen kundër raketave të drejtuara. Për shkak të nivelit të ulët të fluturimit të tyre dhe kapjes me vonesë të shkaktuar nga niveli i ulët i fluturimit, mbrojtja kundër tyre mund bëhet kryesisht me sistemet moderne të mbrojtjes si Patriot ose IRIS-T. Një mbrojtje gjithëpërfshirëse e sipërfaqes është, sipas të dhënave të Bundeswehrit, “shumë e kushtueshme dhe e mundshme vetëm me përdorimin e shumë sistemeve dhe bën të qartë domosdoshmërinë e një bashkëpunimi ndërkombëtar.”
Arrow 3 kundër raketave jashtë atmosferës së Tokës
Një e çarë tjetër ka të bëjë me mbrojtjen nga raketat me rreze të gjatë veprimi, që mund të qëllojnë objektiva edhe jashtë atmosferës së tokës. “Kjo e çarë duhet mbyllur shpejt, sidomos sepse Rusia e ka një armë të tillë. Gjermania duhet të jetë në gjendje që të mbrohet më shpejt se deri tani nga raketat drejtuese me rreze veprimi më të gjatë se 1000 kilometra,” shkruan ministria gjermane e Mbrojtjes.
Këtë gjë mund ta bëjë sistemi amerikano- izraelit i mbrojtjes kundër raketave, Arrow 3, i cili do të vihet në përdorim në Gjermani deri në fund të 2025. Komisioni për buxhetin dhe shpenzimet për mbrojtjen në Parlamentin gjerman, aprovoi në qershor të 2023 blerjen e tij. Sipas të dhënave izraelite, ai kushton gati katër miliardë euro. Arrow 3 mund të shkatërrojë raketat sulmuese që ndodhen në lartësinë deri 100 kilometra në fillim të stratosferës dhe ka rreze veprimi që arrin deri në 2400 kilometra. Ngjashëm si Patriot, Arrow 3 funksionon i lidhur me një pajisje mobile që bën ndezjen, një stacion të lëvizshëm kontrolli, një stacion mobil radarësh dhe raketa të drejtuara.
Një kupolë e padukshme për një territor sa më të madh
Vendet që marrin pjesë në nismën European Sky Shield duan të krijojë së bashku sistemet e duhura të mbrojtjes, në mënyrë që së bashku të mbulojnë sa më shumë territor me kosto sa më të ulët. Për këtë tregohet kujdes për të parë çfarë nevojash ka cili vend. Anëtarët e ESSI kanë rënë dakord që të mbështesin njëri tjetrin me sisteme armësh dhe municionin përkatës. Nëpërmjet krijimit dhe mbarëvajtjes së përbashkët, duhen ulur kostot e blerjes dhe mbajtjes në përdorim. Në Gjermani kjo pasuri qindra miliardë euroshe e financuar nga borxhet, ka krijuar mundësinë e investimeve për Bundeswehrin në ngritjen e një sistemi modern të mbrojtjes ajrore.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e DW