Vendosni fjalën kyçe....

Më shumë se 100 delfinë ngordhin në Amazonë për shkak të temperaturave të larta rekord të ujit


Më shumë se njëqind delfinë janë gjetur të ngordhur në Amazonën braziliane mes një thatësire historike dhe temperaturave të larta rekord të ujit që në disa vende kanë kaluar 102 gradë Fahrenheit.

Delfinët e ngordhur u gjetën të gjithë në liqenin Tefé gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas Institutit Mamirauá, një strukturë kërkimore e financuar nga Ministria e Shkencës braziliane.

Instituti tha se një numër kaq i lartë i vdekjeve ishte i pazakontë dhe sugjeroi se temperaturat e larta rekord të liqenit dhe një thatësirë historike në Amazon mund të kenë qenë shkaku.

Lajmi ka të ngjarë të shtojë shqetësimet e shkencëtarëve të klimës mbi efektet që kanë aktiviteti njerëzor dhe thatësirat ekstreme në rajon.

“Është ende herët për të përcaktuar shkakun e kësaj ngjarjeje ekstreme, por sipas ekspertëve tanë, sigurisht që lidhet me periudhën e thatësirës dhe temperaturat e larta në liqenin Tefé, në të cilin disa pika kalojnë 39 gradë Celsius (102 gradë Fahrenheit). “- tha instituti për CNN.

Lumi Amazon, rruga më e madhe ujore në botë, aktualisht është në sezonin e thatë dhe disa ekzemplarë të faunës së lumenjve po vuajnë gjithashtu nga temperaturat e larta rekord.

Studiuesit dhe aktivistët po përpiqen të shpëtojnë delfinët e mbijetuar duke i transferuar nga lagunat dhe pellgjet në periferi në pjesën kryesore të lumit ku uji është më i freskët, raportoi CNN Brasil, por operacioni nuk është i lehtë për shkak të largësisë së zonës.

“Transferimi i delfinëve të lumenjve në lumenj të tjerë nuk është aq i sigurt, sepse është e rëndësishme të verifikohet nëse toksina ose viruse janë të pranishme [para se t’i lëshojmë kafshët në natyrë]”, tha André Coelho, një studiues në Institutin Mamiraua.

Thatësira në Amazon po ndikon edhe në ekonomi.

Nivelet nën mesataren e ujit janë raportuar në 59 komuna në shtetin e Amazonas, duke penguar si transportin ashtu edhe aktivitetet e peshkimit në lumë.

Autoritetet presin thatësira edhe më akute gjatë dy javëve të ardhshme, të cilat mund të rezultojnë në vdekje të mëtejshme të delfinëve.