Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi në veri të Kosovës, Sveçla: Terroristët serbë u përgatitën në Serbi


Një javë pas sulmit terrorist në Banjskë, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar në një konferencë për shtyp mbi sulmin.

Ai u shpreh  se terroristët serbë ishin përgatitur në Serbi për kryerjen e sulmit.

Sveçla mes të tjerash tha se sulmi terrorist nga ana e Serbisë kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
“Çdo ditë kemi dëshmuar me fakte me lidhjen e shtetit serb, Aleksandar Vuçiçit, me sulmin në Basnjskë të Zveçanit, ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim, aneksimin e veriut të Kosovës. Me qëllim të organizmit të këtij qëllimi, institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitete ushtarake, logjistike, ushtarake, financiare”, tha Sveçla.
“Sot do të shohim në video dhe fotografi, jo vetëm sulmin në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit. Në këtë tentim të aneksimit të veriut, janë angazhuar drejtpërdrejti presidenti Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes, Milos Vuçeviç shefi i komandës ushtarake Milan Miloseviç”, vijoi më tej ai.

Gjithashtu theksoi se pamjet i kanë siguruar nga dronët që kanë konfiskuar.

“Përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kapaonik, këto pamje janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që kemi konfiskuar një javë më parë”, u shpreh  Sveçla.