Policia e Përmetit ka bërë të mundur arrestimin e shtetases S.R., 44-vjeçe pasi nuk denoncoi abuzimin seksual të vajzës së saj të mitur, e cila ishte abuzuar disa muaj më parë nga një shtetas. Gjithashtu akuzohet se mashtroi dhe një shtetas të huaj nga komunikimet në rrjetet sociale, duke i marrë para.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, vunë në pranga shtetasen S. R., 44 vjeçe, banuese në Përmet, për të cilën Gjykata e Gjirokastrës, me vendimin e datës 27.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Mashtrimi”.
Dyshohet se kjo shtetase ka patur dijeni se vajza e saj e mitur ishte abuzuar seksualisht nga një shtetas, disa muaj më parë, por nuk ka kallëzuar në Polici. Gjithashtu, dyshohet se i ka marrë një shumë parash një shtetasi të huaj, duke e mashtruar gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme,” njofton policia.