13 persona kanë humbur jetën pas një zjarri në një klub nate në Murcia në juglindje të Spanjës, thanë shërbimet e urgjencës të dielën, duke shtuar se ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në kërkim të personave të humbur.
Mediat spanjolle raportuan se disa nga të vdekurit ishin nga një grup që po festonte një ditëlindje. Diego Seral, i Policisë Kombëtare të Spanjës, u tha gazetarëve se të vdekurit u gjetën në klubin e natës ‘Fonda Milagros’, një nga tre klubet fqinje, i cili kishte pësuar pjesën më të madhe të dëmeve nga zjarri, duke përfshirë shembjen e çatisë së tij, shtoi ai.
Shembja po e bënte të vështirë gjetjen e viktimave dhe ishte e vështirë të përcaktohej ende se ku filloi saktësisht zjarri, tha ai.
Hetuesit e policisë nuk kanë mundur ende të hyjnë në vend për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut për shembje. Identifikimi i trupave do marrë kohë, tha Seral. Shërbimet e urgjencës dhanë numrin e viktimave, i cili është rritur gjatë gjithë ditës, në 13. Shkaku i flakëve po hetohet.
Më herët, kryebashkiaku i Murcias, Jose Ballesta, u tha gazetarëve se shtatë trupa ishin gjetur në të njëjtën zonë të katit të parë, ku shpërtheu zjarri.
Një zëdhënëse e klubit të natës Teatre, Maria Dolores Albellan, u tha gazetarëve se zjarri filloi në klubin fqinj, ‘Fonda Milagros’, përpara se të përhapej në dy klubet fqinje.