Vendosni fjalën kyçe....

Anulimi i fondit të BE për bujqësinë, Tabaku: IPARD ishte rasti i tretë dhe bëhet fjalë për një hetim serioz që OLAF ka ndërmarrë


Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e ftuar këtë të hënë në News24, u ndal më gjerësisht tek anulimi nga Bashkimi Europian i fondit për bujqësinë, IPARD. Ajo u shpreh se ka nisur tashmë hetimi në SPAK pas dorëzimit të dosjes së OLAF, dhe se është duke u bërë një punë e mirë.

Fondet e IPARD, një situatë e përsëritur kur bëhet fjalë për akordim të fondeve të BE dhe pezullim i tyre. IPARD ishte rasti i tretë dhe bëhet fjalë për një hetim serioz që OLAF ka ndërmarrë. Qeveria shqiptare ka vendosur që koordinimin e të gjitha fondeve ta ketë në zyrën e kryeministrit dhe të drejtohet nga zoti Beqja, që është një hap pas.

Kjo pasi ka një centralizim të shumë funksioneve në zyrën e kryeministrit. Po krijohet një qeveri më vete atje, dhe së dyti i ka hequr një funksion ministrisë.

Qeveria ka dështuar që të përfitojë fondet e BE në kapacitet të plotë. Ka preferuar më mirë të japë një koncesione për rrugët, në vend që të aplikonte për fonde për rrjetin e autostradave për shembull.

Dosja e zyrës së OLAF është në SPAK dhe ka nisur një hetim. Kam qenë në kontakt zyrtarisht me OLAF, dhe sigurisht që të dhënat e OLAF nuk do të bëhen asnjëherë publike, por informacionet paraprake bëjnë fjalë për një njollë shumë të rëndë që i është vendosur institucioneve shqiptare. Bëhet fjalë për kosto të larta, projekte që nuk ndodhin aty ku janë iniciuar… Pra kanë dështuar në kontrollin e këtyre fondeve.

Nga 500 mijë euro koncensione, 48% e tyre janë në hetim nga SPAK dhe ne mund të na duket normalitet, por me fondet e BE është një skandal i madh. Hetimi është me të vërtetë serioz dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një pagesë 500 mijë euro, por kthimin pas të të gjitha fondeve që janë alokuar”, u shpreh Tabaku.

Sa i takon procesit të integrimit të vendit tonë, ajo thotë që kemi bërë shumë pak hapa përpara.

“Kemi ecur pak përpara. Nuk e kemi shfrytëzuar mundësinë sepse nuk kemi mundur të prezantojmë projekte të qëndrueshme. Nga fondet e BE kemi 70% të fondeve, në vitin më të mirë… A e kemi luksin që të mos përfitojmë dhe këto fonde që janë të aksesueshme? Por është lajm i mirë që Samiti i radhës do të mbahet në Tiranë”, tha ajo.

Lidhur me ngjarjen e fundit të ndodhur në Kosovë, sulmin terrorist ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, ajo u shpreh se Shqipëria nuk ka mbajtur qëndrimin që duhej.

“Kanë qenë dramatike zhvillimet e fundit, dhe kanë qenë hapa pas dhe për njohjen e Kosovës. Kur shikon një vend që përpiqet të shfajësohet me këto sjellje terroriste, cënimit territorial, ka krijuar destabilitet në rajon. Parlamenti jonë duhej të ishte mbledhur për të koordinuar një qëndrim për Kosovën. Mendoj se Kosova është përgjigjur vetë, por Shqipëria nuk ka luajtur rolin që duhej të luante”, tha ajo.