Vendosni fjalën kyçe....

Burimet njerëzore janë ‘kriza e re’ e bizneseve


Vala e emigrimit, që këtë herë ka prekur të rinjtë dhe forcën e kualifikuar, po shkakton probleme me gjetjen e fuqisë punëtore, duke u kthyer në një “krizë të re” për bizneset, që për fat të keq duket se do të zgjasë.

Në vitin 2022, vendet e Bashkimit Europian dhanë gati 74 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat.

Ky është niveli më i lartë që nga viti 2010 dhe një tregues i drejtpërdrejtë i gjallërimit të ciklit të emigracionit, që u përshpejtua pas pandemisë.

Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri (Censi, i cili do ta tregojë saktë numrin e personave që kanë mbetur në vend, po zhvillohet këtë vit). Institucionet ndërkombëtare i shohin lejet e qëndrimit si treguesin kryesor për të matur nivelet e migrimit të një vendi.

“Pritshmëritë e reja në lidhje me mjediset e punës duhet të shihen si strukturore dhe jo të përkohshme. Në Shqipëri, situata e fuqisë punëtore ndërlikohet më tej nga efekti i emigrimit të fortë të shqiptarëve në moshë madhore drejt vendeve perëndimore, duke reduktuar fuqinë punëtore në dispozicion. Bizneset dhe shoqatat tregtare kanë shprehur vazhdimisht vështirësinë në gjetjen e fuqisë punëtore, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në uljen e planeve të rritjes së vetë kompanive”, pohon Alessandro Rosa, Administrator i “Conad Albania”.

Në raportet vjetore, disa kompani theksojnë se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon në zgjerimin e aktivitetit dhe ndërmarrjen e projekteve të reja, si dhe në rritjen e produktivitetit.

“Një nga sfidat e këtij viti, pa diskutim, ishte rekrutimi i punonjësve të rinj, pasi tregu në përgjithësi po përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore. Fokusi i shoqërisë vazhdon të mbetet në tërheqjen pranë saj të një stafi cilësor dhe profesional, pasi është një pikë kyçe që lidh shoqërinë me pikëpamjet e klientit dhe plotësimin e nevojave të tyre në nivelet më të larta. Trajnimet e ndryshme dhe vlerësimet e duhura ndaj stafit kanë krijuar një mjedis promovues, zhvillues si dhe tërheqës për të qenë pjesë e skuadrës”, thuhet në raportin e aktivitetit të “GLOBE”, një nga tregtuesit më të mëdhenj në vend të pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike.

Kriza e fuqisë punëtore po ndihet në të gjithë sektorët, edhe tek ata që ofrojnë pagat më të larta në vend, siç është sektori financiar.

“Emigrimi dhe sidomos largimi i trurit janë dy nga faktorët që po ndikojnë në sistemin bankar”, pohon Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më së madhes në vend. 

Ai shton se kërkesa për burime njerëzore të mirarsimuar dhe të kualifikuar është një sfidë me të cilën po përballen të gjithë sektorët në Shqipëri, jo vetëm sektori bankar.

“Periudha pas COVID-19 ka qenë veçanërisht sfiduese, për shkak të rritjes së kërkesave për emigrim, që ishte shtyrë prej të paktën një viti. Gjithsesi, gjatë vitit 2022, shifrat u kthyen në nivelet standarde”, shton ai.

Mungesa e fuqisë punëtore dhe qarkullimi i shpeshtë i punonjësve për shkak të emigracionit po ndikon negativisht në rentabilitetin e sipërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese.

“Vështirësia në garantimin e fuqisë punëtore është bërë një problem konstant. Përveç problemeve që krijon në planifikimin e prodhimit rreziku i mosgjetjes së punonjësve, është e rëndësishme të nënvizohet një efekt tjetër negativ i krijuar, që është rënia e produktivitetit. Turnover-i i lartë i punonjësve (numri i punonjësve që janë larguar në raport me numrin e punonjësve në fillim të vitit plus atij në fund të vitit), të karakterizuar nga rritja e emigrimit dhe vështirësia në zëvendësimin e tyre, ka shkaktuar edhe uljen e detyruar të kritereve në përzgjedhje dhe rrjedhimisht, rënien e produktivitetit. Kjo ka ndikim financiar të rëndësishëm, duke qenë se rrit koston e prodhimit të secilit produkt”, pohon Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i “Delmon Group Shqipëri”.

“Albaco Shoes” një nga sipërmarrjet më të mëdha prodhuese të këpucëve për eksport po vuan si rritjen e kostove ashtu dhe mungesën e fuqisë punëtore, që po e ndikon negativisht aktivitetin.

Në raportin e aktivitetit, administratori i shoqërisë me pronësi italiane thekson se “Albaco Shoes”, gjatë vitit 2022 ka pasur një ecuri jonormale të aktivitetit të saj.

Faturimet kanë pësuar një ulje me rreth 0.53% në krahasim me vitin 2021, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Kostot e prodhimit kanë shënuar rritje rreth 1.4% në krahasim me vitin 2021. Numri i të punësuarve është reduktuar rreth 14.33% në krahasim me vitin 2021. Çmimet e faturimit janë ulur me 1.5%.

“Neptun”, më i madhi në tregtimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe pjesë e “BALFIN Group”, thotë në raportin e aktivitetit se “gjatë vitit 2022, qarkullimi vjetor i punonjësve në strukturën e shitjes me pakicë ishte rreth 35%, me përmirësim të vogël nga viti i kaluar.

Duke marrë parasysh qarkullimin global të punonjësve me pakicë, që është mbi 75% (sipas Federatës Kombëtare të Shitjes me Pakicë), për shkak të sfidave të tregut shqiptar të punës dhe numrit të konsiderueshëm të punonjësve të larguar për arsye emigracioni, viti 2022 mund të konsiderohet i qëndrueshëm për ‘Neptun’ për sa i përket personelit”.

Problematika me fuqinë punëtore ka rritur theksin ndaj burimeve njerëzore, e reflektuar dhe në raportet e aktivitetit, ku tregohet një vëmendje e shtuar te trajtimi i burimeve njerëzore, trajnimi, shpërblimi, motivimi etj.

Kompanitë deklarojnë se po investojnë vazhdimisht në trajtimin dhe kualifikimin e punonjësve.

Në raportin e aktivitetit të ELKA, një nga distributorët më të mëdhenj në vend, theksohet se “gjatë vitit 2022 i është dhënë prioritet sektorit të burimeve njerëzore, duke shtuar staf të kualifikuar me qëllim arritjen e objektivave që kompania ka për një personel cilësor dhe profesionist.

Punonjësit trajtohen në mënyrë profesionale nga stafi i burimeve njerëzore të kompanisë.

Pagat e stafit të kompanisë ELKA, gjatë vitit 2022, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Fondi i pagave në vitin 2022 ishte 569.6 milionë lekë, me rritje prej 8.49% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Si mund të zgjidhet hemorragjia e fuqisë punëtore

Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GMBH, një prej grupeve më të mëdha me aktivitet në industrinë përpunuese, pohon se shkaku i këtij fenomeni është më se i qartë: largimi i të rinjve për në vendet e pasura, për një perspektivë jete më të mirë.

Çfarë mund të bëjmë ne si biznese për frenimin e këtij fenomeni?

Z. Leka sugjeron se mjeti kryesor që do të ndikonte është rritja e pagave.

“Por, e kemi të gjithë të qartë se rritja e pagave do të sillte kosto plus për biznesin, i cili do të duhej të shiste produktin me çmime më të larta, duke sjellë ulje të aftësisë konkurruese. Dhe në një treg të lirë, ku produkti i importuar hyn pa taksa, ndërmarrja që nuk arrin të shesë, mbyllet. Mbyllja sjell papunësi dhe humbje të investimit. Një rritje e pagave e pastudiuar mund të sjellë pasoja të pakthyeshme”, shton ai

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor