Të paktën shtatë të infiltruar trafikonin drogë, rrëmbyen dhe torturuan për kartelet, ndërsa paguheshin deri në një milion dollarë në vit në Shtetet e Bashkuara. DEA mësoi për krimet, akuzon senatori. Informatorëve të DEA-s u ndalohet të vrasin dikë
Slogani është të depërtojë në organizata dhe bandat e trafikut të drogës për të marrë informacion, për të njohur lëvizjet e tyre dhe me të mund të veprojnë autoritetet. Por disa nga këta informatorë konfidencialë, burime të dorës së parë në terren, u bënë problem për agjencitë amerikane që i rekrutuan. Ka informacione se ata kanë marrë pjesë në trafik droge e deri në vrasje, pavarësisht se janë mbikëqyrur nga ata që i punësojnë dhe janë paguar prej tyre.
Zbulimi i fundit u hodh në arenën publike nga senatori republikan Chuck Grassley, i cili pretendoi vrasjen e dy informatorëve konfidencialë të DEA-s në duart e vrasësve që punonin për Los Chapitos – siç njihen fëmijët e Joaquín El Chapo Guzmán Loera. Por ky nuk është rasti i vetëm që u ka dalë nga duart e agjencive qeveritare në Shtetet e Bashkuara.
Informacioni i marrë nga MILENIO zbulon se në dekadën e fundit, të paktën shtatë informatorë konfidencialë vijuan me trafikun e drogës, morën pjesë në ekzekutime, ryshfet dhe akte korrupsioni pavarësisht se kishin marrë koncesione dhe para nga agjencitë në atë vend.
Njëri prej tyre është Guillermo Eduardo Ramirez Peyro, i cili kreu vrasje në Ciudad Juárez, Chihuahua, ndërsa punonte si informator për Emigracionin dhe Doganën e SHBA-së (ICE). Rasti i tij zbuloi se si prej vitesh këta informatorë kanë mundur të veprojnë në errësirë, me pak kontrolle, por me mbrojtje nga qeveria.
Senatori republikan Grassley jo vetëm zbuloi në letrën dërguar më 21 gusht 2023 zëvendësprokurores së përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Lisa Oudens Monaco, se dy informatorë konfidencialë u vranë, por gjithashtu vuri në dyshim hetimet e njëanshme të kryera nga agjencia kundër drogës DEA, si dhe mbrojtjen që të infiltruarit marrin nga vetë prokuroria federale.
Edhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (OIG), e Departamentit të Thesarit të këtij vendi, ka kritikuar përdorimin e të ashtuquajturve ‘informatorë konfidencialë’. Duke vepruar kështu, pohon OIG, i përgjigjet shumë faktorëve, në të cilët nuk përjashton përfitimet financiare, shmangien e ndëshkimeve dhe madje edhe hakmarrjen.
OIG, në fakt, zbuloi se agjenci si DEA kishin në listën e pagave të tyre, për 30 vjet, një informator të vetëm konfidencial të cilit i paguanin 30 milionë dollarë, pra rreth një milion dollarë në vit për informacionin e tyre.
‘Shtëpia e të vdekurve’
Historia e kësaj masakre nuk do ekzistonte pa Guillermo Ramírez Peyro, një ish-polic meksikan i Caminos y Puentes Federales (Capufe), i Ministrisë së Komunikimeve, i cili në vitin 1995 vendosi të kombinonte karrierën e tij si nëpunës publik me detyrën e mbikëqyrjen dhe shpërndarjen e kokainës për Kartelin Juárez.
Mirëpo, atij nuk i mjaftoi dyfishimi i pagës duke bërë ato punë. Ambicioz, në vitin 2000 ai trefishoi veprimtaritë e tij: tani ai ishte jo vetëm një polic dhe trafikant droge, por edhe një informator konfidencial i agjencisë amerikane ICE.
Sipas informacioneve në gjykatën e apelit të distriktit jugor të Floridës, meksikani arriti të nxjerrë informacion nga Karteli Juárez për t’ia dorëzuar qeverisë së atij vendi. Sipas deklaratës së Ramírez gjatë kohës së tij si i infiltruar, ai arriti të arrestonte rreth 50 persona, përfshirë Heriberto Santillán, një toger i nivelit të lartë i Kartelit Juárez.
Ishte marrëdhënia e tij me këtë njeri, Santillan, që e vendosi Ramírez Peyro në një situatë të tmerrshme dhe të pakthyeshme.
Sipas një ankese të siguruar nga kjo gazetë, Ramírez Peyro filloi të punonte në fillim të viteve 2000 për Santillan. Por trafikanti i drogës jo vetëm që i kërkoi atij të menaxhonte dërgesat e drogës në Shtetet e Bashkuara, por edhe të merrte pjesë në vrasjet e ‘armiqve’ të tij. Kështu filloi një zinxhir krimesh, si rezultat i të cilave trupat e të vrarëve u varrosën në një shtëpi pranë Rio Bravos, të cilën e quajtën pa u menduar shumë, ‘La Casa de los Entierros ose La Casa de los Muertos’.
Në vitin 2003, informatori konfidencial mësoi se Santillán do eliminonte një avokat të quajtur Fernando Reyes Aguado. Pavarësisht se informatorëve konfidencialë u ndalohet të vrasin kur raportojnë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, një agjent i ICE që mësoi për atë urdhër, jo vetëm që nuk e ndaloi, por gjithashtu i kërkoi të aktivizonte telefonin e tij për të dëgjuar krimin në kohën kur po ndodhte. Dhe nuk ishte i vetmi që kreu me dijeninë e agjencisë: Ramírez kreu edhe 13 vrasje të tjera.
Pasi Santillan ra, bashkë me të u zbulua varri klandestin në ‘Shtëpinë e të Vdekurve’. Aty gjetën trupin e Luis Padilla Cardona, një shtetas amerikan që ishte zhdukur në Ciudad Juárez. Dhe ishte familja e tij që ngriti një padi në gjykatat e El Pasos, Teksas. Nëpërmjet dëshmisë së Xhenetit, gruas së tij dhe tre fëmijëve të tyre – të mitur në atë kohë – u zbuluan hollësi të papublikuara të jetës së burrit të saj, i cili ishte vetëm 29 vjeç.
Sipas Janeth Padilla, burri i saj u torturua së bashku me 20 persona të tjerë të cilët më vonë u varrosën në oborrin e një shtëpie të vogël në Ciudad Juárez. Por kjo, ndoshta, nuk mund të kishte ndodhur nëse qeveria amerikane do merrte vendimin për të ndaluar masakrën.
Ramírez Peyro, mban ankesën, operuar me dijeninë e zyrtarëve të ICE, nën mbikëqyrjen e agjentëve të quajtur García, Kramer, Compton, Bencomo dhe zëvendësprokurores federale Juanita Fielden. Ai mori pjesë në rrëmbime dhe vrasje për kartelin Juárez dhe njihej si ‘Lalo’ ose informatori konfidencial ‘SA-913-EP’.
Janeth Padilla tregon në dëshminë e saj se Ramírez vrau viktimën e tij të parë – avokatin e njohur Juarense të quajtur Fernando Reyes Aguado – ndërkohë që ishte në listën e pagave amerikane.
“Vrasja në fakt u mbikëqyr dhe u regjistrua nga zyrtarët e ICE si ndodhi. Gjëja tronditëse janë hollësitë që zbulojnë se si Reyes u kërkon ta lënë të gjallë.” Kjo dhe vrasjet e tjera ishin planifikuar para se të kryheshin.
Padia zbulon hollësitë e rolit vendimtar që ka pasur informatori konfidencial në manipulimin dhe vrasjen e viktimave të tij, të cilat ai do t’i merrte më pas në shtëpinë në rrugën Parsioneros, në Ciudad Juárez.
Ai përdori shirit ngjitës, litar dhe një qese plastike për të torturuar armiqtë e supozuar të kartelit. Pas çdo vrasjeje, i varroste kufomat dhe më pas për të maskuar dekompozimin blinte thasë me gëlqere dhe i zbrazte në gropa, ku i vendoste kufomat njëra mbi tjetrën.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara i pagoi Ramírez qindra mijëra dollarë. Edhe kur u kthye nga raportimi në atë vend, ai u lejua të mbante një pistoletë Beretta 9 mm me një karikator 15 fishekësh.
“Apatia, e njollosur nga paaftësia, karakterizoi operacionet e udhëhequra nga ICE dhe Zyra e Prokurorisë Federale në El Paso,” thuhet në aktakuzë.
“Ata janë thjesht meksikanë”
Familja e Padilla tregoi në deklaratat e tyre se si një prokuror federal, kur u zbulua mënyra sesi lejoheshin vrasjet gjakftohtë në Meksikë, tha: “Kujt i plasi, ata janë thjesht meksikanë”.
Ndër vdekjet që u toleruan është një që u përshkrua nga vetë Ramírez: një vrasje e një nëne dhe vajzës së saj trevjeçare. Të dyja erdhën për t’i kërkuar kartelit ndihmë dhe para për mbrojtjen ligjore të bashkëshortit të tyre. Në vend që t’u jepnin paratë, gruaja dhe vajza u vranë.
Sipas familjes së tij, Padilla ishte një viktimë më tepër e rrëmbimit të kalimtarëve në Ciudad Juárez. Sipas informacioneve që mund të merrnin, vrasësit në të vërtetë po ndiqnin dikë tjetër; rezultoi se Luis Padilla Cardona, në mes të rrugës dhe pranë atij ‘objektivi’, ishte hutuar, rrëmbyer, torturuar dhe në fund trupi i tij u varros në Shtëpinë e të Vdekurve.
Megjithatë, padia e familjes Padilla u rrëzua.
Ramírez mbeti një dëshmitar i mbrojtur në Shtetet e Bashkuara dhe mori 220,000 dollarë për punën e tij. Më pas, ai u zhduk, deri në vitin 2020 kur u akuzua për posedim dhe shpërndarje kokaine. Ramírez Peyro ishte kthyer në rrugët e tij të vjetra dhe paradoksalisht ishte një ‘CI’, një informator konfidencial i FBI-së, që e çoi në burg: duke shitur kokainën. Këtë herë i infiltruesi – siç bëri tjetri shumë vite më parë – e regjistroi atë në audio dhe video. Dënimi i tij ishte 78 muaj burg.
Narcos, por miq
Një kapitull i dokumentit i quajtur Udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me përdorimin e informatorëve konfidencialë, thekson se agjenci të tilla si FBI ‘nuk lejohen kurrë të autorizojnë një informator konfidencial për të marrë pjesë në një akt dhune, pengim të drejtësisë ose aktivitete të tjera të paligjshme të listuara’.
Përveç kësaj, nëse një informator kryen veprimtari të paautorizuar të paligjshme, FBI dhe Departamenti i Drejtësisë duhet të rivlerësojnë menjëherë përshtatshmërinë e atij informatori.
Kështu thotë ligji, por në të terren ndonjëherë gjërat janë ndryshe.
Raste të tjera, si ai i Agapito González Ramírez, zbulojnë sesi informatorët konfidencialë kanë keqpërdorur pozicionin e tyre. Ishte e njëjta DEA që zbuloi se gjatë një operacioni të trafikut të drogës, Agapito synonte të rrëmbejë partnerët e tij, por edhe të ruante paratë nga shitja e madhe e substancave të ndaluara.
Ai e bëri këtë derisa historia u përsërit me të: agjentët e DEA-s duhej të përdornin një tjetër informator konfidencial, i cili u shfaq si blerës, për të marrë rreth 18 kg marijuanë. Më pas, agjentët e antinarkotikëve transferuan pagesën e drogës në llogarinë bankare të Gónzalez Ramírez, dhe ai në asnjë moment nuk i rrëfeu dikujt nga Agjencia ose një organi tjetër policor për transaksionin. Ai po përfitonte nga pozicioni i tij për të mbajtur pagesën e madhe.
Kapot e kalibrit të madh i bashkohen listës së informatorëve konfidencialë që kanë kryer krime. Ata janë Jesús Vicente Zambada Niebla, El Vicentillo, djali i Ismael El Mayo Zambada; Humberto Loya Castro, avokat i Kartelit Sinaloa; avokati i Kartelit të Gjirit, Juan Guerrero Chapa (i vrarë tashmë); atë të zhvatësit Miguel Rodríguez, madje edhe vetë Édgar Valdez Villareal, La Barbie, sipas gazetares Anabel Hernández.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderlandbeat
Përgatiti për Hashtag.al, Kodian Manjani