Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e zhbllokimit të miliarda eurove për Hungarinë, që ishin ngrirë për shkak të shqetësimeve për funksionimin e shtetit ligjor, ndërsa synon të marrë mbështetjen e Budapestit për ndihmën për Ukrainën, përfshirë një fillim të bisedimeve për anëtarësimin për Kievin, thanë zyrtarë të lartë evropianë.
Krahasuar me të gjitha vendet e tjera të BE-së, Hungaria ka marrëdhënien më të afërt me Rusinë dhe mendohet se do të jetë kundërshtarja kryesore ndaj një vendimi që pritet të merret në dhjetor për hapjen e mundshme të bisedimeve për anëtarësimin me Kievin, që do të kërkonte mbështetjen unanime të 27 vendeve anëtare.
Pritet të vendoset gjithashtu edhe për kërkesën e Komisionit Evropian që vendet anëtare të rrisin kontributin për buxhetin e përbashkët, për të shtuar ndihmën për Ukrainën. Edhe për këtë vendim që pritet të merret këtë vit, do të duhet miratim unanim.
Një zyrtar i lartë i BE-së i tha agjencisë së lajmeve Reuters se që të fitojë votën e Hungarisë, BE-ja pritet të shqyrtojë statusin e miliarda eurove që u ngrinë për shkak të shqetësimeve se Kryeministri Viktor Orban ka kufizuar pavarësinë e gjykatave.
“Nuk mund ta imagjinoj Hungarinë të bjerë dakort pa i dhënë një zgjidhje fillimisht fondeve të bllokuara”, tha zyrtari.
Një zyrtar i dytë i BE-së konfirmoi se ekziston një lidhje mes zhbllokimit të fondeve për Hungarinë dhe planeve të BE-së që kërkojnë miratim unanim, përfshirë për zgjerimin dhe për bisedimet për buxhetin, përcjell VOA.
Zyrtarët theksojnë megjithatë se marrëveshja nuk mund të konsiderohet e lehtë pasi shumë varet nga zoti Orban, i cili po përballet me stanjacionin ekonomik dhe rritje të defiçitit buxhetor të Hungarisë.
“Hungarisë i duhen fondet urgjentisht, dhe kjo është një shtysë për reforma. Komisionit i duhet Hungaria, që në këmbim të heqë veton për një sërë çështjesh”, tha një diplomat evropian. “Por nuk mendoj se Komisioni se mund të veprojë pa patur një ndryshim të qëndrimit për reformat nga Budapesti”.
Zyrtarët e BE-së i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ligjet e miratuara këtë verë nga Hungaria për rritjen e pavarësisë së gjyqësorit, patën afruar mundësinë e një marrëveshjeje për zhbllokimin e një pjese të 22 miliardë eurove të destinuara për zhvillimin ekonomik. Javën e kaluar, Komisioni i drejtoi një letër Budapestit duke kërkuar më shumë detaje për zbatimin e legjislacionit të ri.
Duke folur në Budapest të martën, ministri i Hungarisë për çështjet evropiane tha se mendon se do të arrihet një marrëveshje me BE-në për fondet e ngrira “deri në fund të vitit”.
Duke u përpjekur të arrijë marrëveshjen me Hungarinë, BE-ja përballet me tensionin ndërmjet dy objektivave të saj kryesore – mbrojtjen e standarteve demokratike në vendet e saj anëtare dhe mbështetjen për Ukrainën, e cila përpiqet të zmbrapsë sulmin e forcave ruse dhe të integrohet në strukturat e Perëndimit.
Ukraina aplikoi për anëtarësimin në BE vetëm pak ditë pasi Rusia filloi sulmin ushtarak në shkurt të vitit të kaluar. Mbështetja e Perëndimit është ekzistenciale për Ukrainën dhe anëtarësimi në BE është një nga objektivat më parësorë të vendit.
Përpara se udhëheqësit e BE-së të votojnë në dhjetor, komisioni do të paraqesë një vlerësim në javët në vazhdim për progresin e Ukrainës drejt përmbushjes së kushteve për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
Zoti Orban ka thënë se “pyetje shumë të vështira” duhet të marrin përgjigje përpara se BE-ja të fillojë bisedimet për anëtarësimin me Ukrainën, një proces që mund të dojë vite të tëra deri në një anëtarësim të mundshëm. Duke folur në parlamentin hungarez javën e kaluar, ai i përkufizoi si dy çështje të veçuara mbështetjen për Ukrainën dhe zhbllokimin e fondeve të BE-së.
“Brukseli… dëshiron që ne të biem dakort për një ndryshim në buxhetin e Bashkimit Evropian, për të cilin duhet unanimitet”, tha ai. “Po na kërkojnë që të japim edhe më shumë para për Ukrainën”.
“Brukseli duhet të na japë paratë që u takojnë hungarezëve dhe kështu do të përmirësohet gjendja e financave publike… Shuma që na kanë borxh, jam i bindur se do ta balancojë buxhetin”, tha zoti Orban.