Administrata Federale e Policisë në Bosnjë dhe Hercegovinë njoftoi më 3 tetor se do t’i hetojë pretendimet se një nga liderët e serbëve të Kosovës, Milan Radoiçiç, ble armë, municion dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese, të cilat kanë përfunduar në territorin e Kosovës.
Administrata Federale e Policisë tha për REL-in se do të “ndërmarrë aktivitete në lidhje me verifikimin e pretendimeve se Milan Radoiçiç ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla nga janari 2023 deri më 24 shtator. Në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion”.
Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzlës”, që lidhet me rastin e Milan Radoiçiçit.
E kontaktuar nga REL-i, edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzlës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.
Radoiçiç, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiçin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.