Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i OSBE/ODIHR, reagon Ambasada e SHBA-së: Qeveria dhe partitë politike të zbatojnë rekomandimet


Ambasada e SHBA-së ka reaguar për gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook , ambasada ka mirëpritur këtë raport mbi disa nga përmirësimet në fusha të caktuara, por edhe mangësitë që janë pikasur nga raporti.

Me rëndësi për ambasadën është që qeveria, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e këtij raporti, në lidhje me keqpërdorimet e buxhetit shtetëror apo akuzat për shit-blerje votash.

Reagimi i plotë:

Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë.

Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit.

Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.