Bilanci i viktimave nga aksidenti në Itali ka shkuar në të paktën 21 persona, përfshirë dy fëmijë.
Një autobus u rrëzua nga një mbikalim pranë qytetit italian të Venecias dhe mori flakë, thonë zyrtarët.
Autobusi depërtoi një pengesë dhe u ra pranë shinave hekurudhore në lagjen Mestre, e cila lidhet me Venecia me një urë.
Autobusi ishte marrë me qira për të çuar turistët midis Venecias dhe një kampingu në rrethin e afërt Marghera, thonë raportet.
Kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro tha se kishte ndodhur një “tragjedi e madhe”.
“Një skenë apokaliptike, nuk ka fjalë,” tha ai në rrjetin X.
Incidenti ndodhi rreth orës 19:45 me orën lokale teksa raportohet se autobusi po kthente turistët në kamping.
Disa raporte thonë se autobusi punonte me gaz metan dhe ra në linjat e energjisë elektrike dhe mori flakë.
“Faktori rëndues ishte metani dhe zjarri u përhap me shpejtësi”, tha ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, duke paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.
Guvernatori i rajonit Luca Zaia tha se të vdekurit dhe të plagosurit përfshinin njerëz të “nacionaliteteve të ndryshme, jo vetëm italianë”.
Kreu i shërbimit lokal të zjarrfikësve tha se turistët ukrainas ishin në mesin e të vrarëve, ndërsa agjencia italiane e lajmeve Ansa tha se gjermanë kishin qenë gjithashtu mes pasagjerëve në autobus.
Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë punën në vendngjarje.
Të paktën 12 persona u plagosën në aksident dhe deri në pesë persona rezultojnë të zhdukur, raportoi Ansa.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se po ndjek zhvillimet dhe shprehu ngushëllime.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se ajo qëndron pranë liderëve italianë në këtë “moment dhimbjeje të thellë”.