Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri nuk pyet për zonën e mbrojtur të Pishë-Poros, digjet rreth 1/3 e masivit me pisha


Pylli i Pishë Poros i përfshirë nga flakët | Foto: Artan Rama 

Zona e masivit pyjor të Pishë-Poros dhe Darëzezës është përfshirë prej një jave nga zjarri.

Nga vlerësimet paraprake zjarri ka djegur rreth 800 ha me pisha e shkurre që popullojnë masivin pyjor në zonën e mbrojtur.

Vatra e parë e zjarrit u ndez pasditen e 23 shtatorit. Pëprjekjet e zjarrfikësve të zonës në orët e para nuk mundën që të shuanin flakët të cilat të ndihmuara nga era dhe bimësia përpinë me shpejtësi sipërfaqe të tëra.

Ndërhyrja nga ajri me mjetet e Emergjencave Civile ishte e pamundur për shkak se helikopteri i vetëm është për remont.

Zjarrëfikësit në pyllin e Pishë Poros | Foto: Artan Rama

Ndërkohë vetëm ditën e djeshme dy avionë amfibë të Greqisë ndërhyrë për të vënë në kontroll flakët por jo për të shuar plotësisht zjarrin.

Në terren punojnë zjarrëfikësit e Emergjencave Civile si dhe të Bashkive Fier, dhe atyre fqinje.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi i cili raportoi ditën e sotme mbi situatën “nën monitorim janë 5 vatra, të cilat janë ende aktive. 53 trupa nga FA, mjete zjarrfikëse, 25 efektivë nga MZSH dhe forca të ADZM janë duke punuar në terren bashkë me dy avionët Canadair nga ajri për të mos lejuar riaktivizimin e vatrave”.

Disa vatra zjarri janë riaktivizuar sërish pasditen e sotme ku lufta me zjarrin duket se nuk po fitohet nga njeriu.

Aktualisht vatra më masive ndodhet në zonën e Pishës së Butë.

Zjarrfikës të Emergjencave Civile | Foto: Niko Peleshi (Facebook)