Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan në Kosovë: SHBA-ja e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.

“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.

Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt.

Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.