Me shkarkimin e kryetarit Kevin McCarthy, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara po hyn në një territor të panjohur.
Mocioni për shkarkimin që u ndërmor nga ligjvënësi republikan i së djathtës së skajshme, Matt Gaetz, u miratua të martën me votën e tetë republikanëve dhe të gjithë demokratëve të pranishëm.
Votimi e bëri zotin McCarthy, kryetarin e parë të Dhomës së Përfaqësuesve në historinë e Shteteve të Bashkuara që shkarkohet, një humbje e hidhur që vjen pas më pak se nëntë muajsh në detyrë.
Zoti McCarthy deklaroi se nuk do të kadidojë më për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe për momentin nuk është e qartë se kush mund ta pasojë atë. Çfarë mund të ndodhë më pas?
KUSH E KRYESON DHOMËN E PËRFAQËSUESVE AKTUALISHT?
Menjëherë pas votimit, ligjvënësi republikan Patrick McHenry, një aleat i ngushtë i zotit McCarthy-t, u emërua si kryetar i përkohshëm i Dhomës.
Megjithëse zoti McHenry mund të shërbejë në këtë rol për një kohë të pacaktuar, ai nuk ka kompetencat e plota të një kryetari të zgjedhur, por vetëm ato që konsiderohen si “të nevojshme dhe të përshtatshme”.
ÇFARË NDODH MË PAS?
Detyra e parë në rendin e ditës për zotin McHenry do të jetë mbajtja e zgjedhjeve për një kryetar të ri. Deri tani, është e paqartë se cilin do të propozojnë republikanët e Dhomës për postin e kryetarit.
Disa ligjvënës donin të propozonin përsëri zotin McCarthy për postin. Por zoti McCarthy e bëri të qartë se nuk synonte të kandidonte përsëri për këtë rol.
Republikanët po diskutojnë emra të tjerë që mund të sjellin konsensus, si Steve Scalise ose Tom Emmer.
Republikanët do të propozojnë kandidatin e tyre për postin e kryetarit dhe më pas Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për të. Në janar, u deshën 15 raunde votimi për të zgjedhur zotin McCarthy.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA.