Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, pak pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se do të punohet për unifikimin e një drafti të përbashkët me opozitën, për rezolutën për Kosovën.
Ashtu siç edhe u bë e ditur më 12 tetor do të mbahet seanca e posaçme ku do të diskutohet për sulmin në Kosovë.
“Të unifikojmë draftet për rezolutën e Kosovës. Kjo është çështje protokollare e parlamentit. Ne nuk kemi rrëzuar interpelancë, kemi bashkuar dy kërkesat për rezolutë me interpelancën, por bashkuam kërkesat”, tha Çuçi. Duke u ndalur te propozimet e opozitës për Avokatin e Popullit, Çuçi tha se kjo çështje nuk është domain i Bashës apo i Bardhit.
“Avokati i Popullit është një çështje që e kemi bërë të qartë qëndrimin që duhet zgjedhur nga propozimet që duhet të vinë nga opozita. Nuk është as domain i Bashës dhe as i Bardhit propozimin për Avokatin e Popullit. Ky propozim i takon opozitës në tërësi.”, shtoi ai.