Vendosni fjalën kyçe....

“Kërcënimet ndaj prokurorëve” – Delegacioni i BE-së, dhe Ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë në sinkron: Ju mbështesim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit


Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo Britanike kanë reaguar ndaj kërcënimeve ndaj funksionarëve të drejtësisë të zbuluara nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.

Ambasada amerikane shprehet e shqetësuar për kërcënimet ndaj zyrtarëve dhe ofron mbështetjen e palëkundur që ata të luftojnë me guxim korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Një sistem drejtësie pa frikë dhe frikësim është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për kërcënimet e dhunës ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike.

Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo frikësim. Shtetet e Bashkuara pohojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit të Shqipërisë që luftojnë me guxim korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe janë të gatshme të mbështesin përpjekjet e tyre”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane

Ndërsa Ambasada Britanike thotë se të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën pa frikë dhe favore.

Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësimin lidhur me kërcënimet kundër hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri. Të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë ata në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë”-thuhet në deklaratën e Ambasadës Britanike.

Edhe delegacioni i BE-së në Tiranë ka shprehur mbështetje për të gjithë zyrtarët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BE-ja mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë sjelljeje kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE.