Vendosni fjalën kyçe....

PL ngre shqetësimin për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe e kopshte: Prindërit po detyrohen t’i çojnë fëmijët në privat


Anëtarja e këshillit bashkiak të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Silva Caka ka kërkuar sot informacion për situatën në çerdhe e kopshte, duke ngritur shqetësimin për procesin e aplikimit dhe pranimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Caka tha në një deklaratë për mediat se prindërit janë të shqetësuar pasi mos regjistrimi i fëmijëve në kopshtet publike, i detyron ata të paguajnë disa fish më shumë në kopshtet private.

Ajo deklaroi se i janë drejtuar me shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës, ku i kërkojnë informacion lidhur me aplikimet në çerdhe e kopshte, pranimet, grupet, institucionet dhe numrin e fëmijëve dhe edukatoreve.

 

DEKLARATA E PLOTË

Ditët e fundit, si pasojë e nisjes së vitit të ri akademik në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, pranë Partisë së Lirisë, në cilësinë e këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kemi zhvilluar mjaft takime me prindër të shqetësuar për procesin e aplikimit dhe pranimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Shqetësimi më i madh lidhet me refuzimin e regjistrimit të fëmijëve në këto institucione, duke i detyruar prindërit të regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe apo kopshte private, ku pagesa mujore varion 5-10 fish më shtrenjtë se në ato publike.

Kjo është një kosto shtesë shumë e lartë për një familje të re, e cila përballet çdo ditë me kostot e shtuara të jetesës në Tiranë, sidomos në rastet kur familjet e reja kanë 2 apo më shumë fëmijë.

Një tjetër shqetësim, i ardhur nga prindërit që kanë pasur fat me regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike, është ai i mbingarkesës me fëmijë, për hapësirat që ofrojnë kopshtet apo çerdhet, duke bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor.

Duke parë të dhënat e viteve të kaluara, ku numri i fëmijëve në Tiranë ishte pothuajse sa dyfishi i atyre që kishin mundur të regjistroheshin në çerdhe apo kopshte, natyrshëm na lind pyetja mbi infrastrukturën arsimore në Tiranë, e cila duhet të akomodojë një numër të madh fëmijësh.

Për këto arsye, bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, po i drejtohemi me shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës, ku i kërkojmë informacion lidhur me:

  1. Sa aplikime janë paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, për regjistrime në çerdhe dhe kopshte në Qershor dhe Shtator 2023?
  2. Sa nga këto aplikime janë pranuar për t’u regjistruar?
  3. Sa çerdhe dhe kopshte janë funksionale në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës?
  4. Sa grupe janë në çdo çerdhe dhe kopsht të territorit të Bashkisë së Tiranës?
  5. Sa fëmijë janë në çdo grup dhe a respektohet hapësira 2 m²/ fëmijë në çdo çerdhe dhe kopsht?
  6. Sa edukatore dhe sa ndihmëse janë për çdo grup?

Këto pyetje kanë për qëllim të informojnë të gjithë prindërit mbi situatën e çerdheve dhe kopshteve në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se janë pikërisht ata që paguajnë taksa të shumta, që fëmijët e tyre të kenë një trajtim dinjitoz dhe brenda standardeve europiane, për sa i përket hapësirave, zhvillimit të procesit mësimor, ushqyerjes dhe marrjes së çdo shërbimi tjetër të nevojshëm për fëmijën.

Interesi më i lartë i fëmijës është një parim që duhet të diktojë punën dhe përditshmërinë e secilit prej nesh, por situata e çerdheve dhe kopshteve në Tiranë, krahasuar me situatën e kullave të betonit, lë shumë për të dëshiruar, pavarësisht se Bashkia e Tiranës ka 7 vite që iu vjedh taksën e infrastrukturës arsimore, pa iu ofruar asnjë shërbim në shkëmbim.

Bashkia e Tiranës ka një buxhet prej 275 milionë eurosh në vit, i cili duhet të kanalizohet për nevojat primare të qytetarëve, për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve, por Bashkia zgjedh betonin dhe inceneratorët dhe jo çerdhet dhe kopshtet, fasadën dhe jo shërbimin publik. Dua t’i kujtoj banorëve të Tiranës se Erion Veliaj, vetëm përpara 20 ditësh, i hoqi rreth 6 milionë euro zërit të arsimit në buxhet, për t’ia kaluar atë inceneratorëve.

Këshilltarët e Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë të angazhuar të bëjnë transparencë mbi çdo çështje që shqetëson banorët e Tiranës.