Vendosni fjalën kyçe....

Serbia liron Milan Radoiçiç, i ndalohet shkuarja në Kosovë


Më pak se 24 orë ka zgjatur heqja e lirisë nga autoritetet serbe për Milan Radoiçiç, i akuzuar si organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në 24 shtator, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Gjykata e Beogradit liroi sot (4 tetor 2023) Radoiçiç një ditë pas marrjes në pyetje. Gjyqtari i procedurës paraprake rrëzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për lënien në paraburgim për Radoiçiçin, me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

Gjykata në vendimin e saj ka thënë se pasi ka dëgjuar të pandehurin ka vendosur për lirimin e tij.

Sipas vendimit Radoiçiçit i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë, pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

Ai do të duhet të paraqitet në policinë e Beogradit dy herë në muaj, 1 dhe  15 të çdo muaji. Mësohet se Radoiçiçit iu konfiskua përkohësisht pasaporta dhe është paralajmëruar se mund të paraburgoset nëse shkel detyrimet.

Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç mori përsipër sulmin në fshatin Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë që të martën, 3 tetor, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se ka arrestuar atë.

Radoiçiçi është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të gjykohet nga drejtësia kosovare.

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi për CNN se ‘Kosova është nën sulm’ dhe kërkoi që ndërkombëtarët të ndëshkojnë Serbinë. Ajo tha se do të kërkohet esktradimi i Milan Radoiçiç, pasi vetem kështu mund të ketë drejtësi.

Osmani tha se nëse nuk ndëshkohet, Serbia do ta vazhdojë agresionin edhe në rajon.

Ndërkohë Departamenti amerikan i Shtetit përmes zv.zëdhënësit Vedant Petel deklaroi se e dinë që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”. Ai tha për mediat se të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të dalin para drejtësisë./ REL