Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët në Mal të Zi bashkojnë forcat, dy partitë që fituan vende në parlament krijojnë klubin e përbashkët


 

Dy partitë shqiptare në Mal të Zi, Forumi shqiptar dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, kanë vendosur “të bashkojnë forcat”, duke krijuar një klub të përbashkët të deputetëve shqiptarë në parlamentin malazez.

Qëllimi i klubit është bashkimi i shqiptarëve dhe përfaqësimi më i mirë i tyre. Në krye do të jetë drejtuesi i “Forumit Shqiptar”, Nik Gjeloshaj.

Në një deklaratë të përbashkët, theksohet se tre deputetët unik shqiptar do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim dhe për zhvillimin dhe avancimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët.

“Nga klubi ynë i përbashkët i deputetëve, gjuha shqipe me krenari do të dëgjohet dhe do të jehojë në Parlamentin e Malit të Zi. Vazhdimi i integrimit të shqiptarëve, përmirësimi i standardit të tyre të jetesës dhe faktorizimi i plotë do të forcohen përmes klubit tonë. Gjithashtu, klubi ynë do të përfaqësojë një themel konkret për promovimin e vlerave evropiane dhe perëndimore, duke mbështetur dhe duke u angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, si dhe duke forcuar pozitën e Malit të Zi në NATO. Klubi ynë do të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera si me vendet e rajonit ashtu edhe me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-në, si aleatin tonë kryesor. Jemi të sigurt se klubi ynë do ta përfaqësojë kombin tonë në mënyrë të ndershme dhe autentike edhe në qeverinë e re të 44-të që do të formohet në Mal të Zi”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TOP CHANNEL.