Vendosni fjalën kyçe....

Testi i alarmit të urgjencave në SHBA, përhapen teoritë konspirative në rrjet


Një test për sistemin e alarmit të urgjencës amerikane do të kryhet këtë të mërkurën, i cili  tashmë po përballet me teori konspirative në internet.

Testi mbarëkombëtar është planifikuar për në orën 14:20 ET dhe do të aplikohet në celularët amerikanë dhe stacionet televizive e ato radiofonike.

Testi organizohet nga ‘Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave’, në koordinim me ‘Komisionin Federal të Komunikimeve’ dhe ‘Byronë e Menaxhimit të Emergjencave’ të Puerto Rikos, thuhet në një njoftim për shtyp të Fema. 

Testi do të vlerësojë dy sisteme alarmi: sistemin e alarmit emergjent (EAS) që luhet në TV dhe radio dhe alarmin e urgjencës me valë (WEA).

“Ne duam të sigurojmë që sistemet të vazhdojnë të jenë efektive, që publiku të kuptojë dhe përdorë këto sinjalizime dhe paralajmërime për emergjencat, veçanërisht ato në nivel kombëtar, si ne punojmë për të forcuar gatishmërinë emergjente në mesin e komuniteteve tona.” tha Orlando Olivera, koordinatori i zyrës së Fema’s në zonën e Karaibeve në Porto Riko,

Sipas The Guardian, këtë të mërkurë, alarmi do të transmetohet në kullat e celularëve për rreth 30 minuta. Ata me celularë me valë që janë të ndezur, brenda rrezes së një kulle celulare dhe ofruesit e të cilëve janë të pajtueshëm me WEA, duhet të marrin sinjalizimin e provës.

Televizorët dhe radiot që janë të ndezur do ta luajnë alarmin për afërsisht një minutë, në koordinim me transmetuesit.

Fema tha se alarmi do të luajë me një ton unik dhe do të shoqërohet nga një dridhje për të rritur aksesin për ata me aftësi të kufizuara.

EAS është një sistem alarmi mbarëkombëtar që mandaton transmetuesit, ofruesit me valë dhe subjektet e tjera që i mundëson Presidentit amerikan një platformë për t’iu drejtuar publikut gjatë emergjencave kombëtare.

Alarmi testues është i shtati që nga krijimi i EAS, sipas CBS. Megjithatë, teoritë e konspiracionit kanë qarkulluar më parë në internet në lidhje me testin.

Disa kanë pretenduar se sistemi i alarmit do të udhëzojë celularët të emetojnë nanogrimca. Disa përdorues në X, të njohur më parë si Twitter, kanë inkurajuar të tjerët në internet që të mbajnë telefonin e tyre të fikur gjatë testit.

“Burimet tona rekomandojnë çaktivizimin e telefonit tuaj gjatë testit Fema të planifikuar nesër,” shkroi një përdorues i X.

“Rekomandimet përfshijnë jo vetëm çaktivizimin e të gjitha sinjalizimeve, por edhe heqjen e kartës SIM dhe mbylljen e plotë të telefonit tuaj, ndoshta vendosjen në një çantë Faraday nëse keni një të tillë,” shtoi i njëjti përdorues, duke iu referuar çantës që bllokon sinjalin.

Një llogari tjetër X pretendoi se alarmi ishte për shkak se SHBA po përgatitet për LUFTË me Rusinë dhe Kinën.

Jeremy Edwards, sekretare e  shtypit i Fema, i tha Guardian se pretendime të tilla në lidhje me testin e ardhshëm janë të rreme.

“Qëllimi i vetëm i testit është të sigurojë që sistemet të vazhdojnë të jenë një mjet efektiv për të paralajmëruar publikun për emergjencat, veçanërisht ato në nivel kombëtar”, tha Edwards, duke shtuar se sistemet e komunikimit ishin mjete kritike të përdorura për t’u treguar civilëve rreth kërcënimet për sigurinë publike.

Elle Bornemann e Qendrës së Kërkimit të Fatkeqësive të Universitetit të Delaware tha se teoritë e konspiracionit rreth testit të ardhshëm janë të lindura nga frika.

“Është thjesht një mungesë besimi tek drejtuesit e shtetit, drejtuesit e qeverisë. Është një pasiguri dhe kur nuk je i sigurt, shumë prej tyre shndërrohen në frikë.” tha ajo. 

Bornemann tha se gjyshërit e saj kishin pyetje në lidhje me testin e ardhshëm, por shtoi se kërkimi dhe ndërgjegjësimi i testimit nga një burim i besueshëm mund t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më të sigurt për alarmin.

“Nëse vjen nga një burim të cilit ata i besojnë, ndihem sikur njerëzit do të kenë pak më shumë besim për të kuptuar se çfarë do të thotë ky test, çfarë do të ndodhë dhe çfarë përfiton” tha ajo.