Vendosni fjalën kyçe....

Projektrezoluta për Kosovën, Balla: Nuk mund të kenë hallin e Kosovës ata që furnizuan Serbinë me naftë


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës sot në seancën plenare, t’i bashkohet rezolutës së propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për Kosovën, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, nga një grup i armatosur serb, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Balla akuzoi opozitën se po tentonte të krijonte situata të papranueshme, duke shkuar deri te bllokimi i foltores, teksa mesazhi duhet të ishte ai i bashkimit për Kosovën.

“Duhet të jeni shumë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë është një qëndrim i fortë i vendit amë. Dhe qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama janë të duhurat, në këtë kohë të vështirë. Ajo që më vjen shumë keq është përpjekja e opozitës për të krijuar një situatë të pakuptimtë, kur Kuvendi duhet të ketë vetëm një mesash, atë të përbashkimit, miratimit të projektrezolutës nga grupi parlamentar i PS-së, ku ju jeni të mirëpritur të kontribuoni”, deklaroi Balla.

Ministri Balla mandej akuzoi opozitën teksa tha se nuk mund të kenë hallin e Kosovës ata që furnizuan Serbinë me naftë dhe thyen embargon 30 vite më parë.

“Edhe në Kuvendin e Kosovës, folën kryetarët e grupeve parlamentare dhe folën me një gjuhë. Nuk mund të kenë hallin e Kosovës ata që furnizuan Serbinë me naftë, thyen embargon, 30 vite më parë. Ju doni debat për të sulmuar qeverinë e vendit tuaj“, ju drejtua Balla-opozitës.

Sipas Ballës, në rezolutën e propozuar nga PS, është qëndrimi më korrekt që duhet të mbajë Shqipëria, ku dënohet sulmin dhe gjendemi pranë Kosovës.

“Këtë presin kolegët tanë në Kosovë”, tha Balla.