Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 3-vjeçarit në Tiranë/ Reagon mjeku: Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij


Mjeku Roland Xhaxho ka reaguar për mediat në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit që humbi jetën për shkak të mbidozës së anestezisë në klinikën e tij dentare.

Mjeku ka reaguar duke thene 3-vjeçari vuante nga një infeksion në dhëmbë dhe procedura sipas tij ka qenë e zakonshme. Sipas Xhaxhos, fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të pergjithshme dhe kjo mënyrë trajtimi u zgjodh sepse djali kishte lindur me difekt në zemër dhe ishte operuar dy vite më parë.Përveç kësaj ai pretendon se ka njoftuar prindërit për gjithçka.

Kur fëmija doli nga klinika, Xhaxho thotë se ai ishte zgjuar në krahët e të atit. Ai thekson që ka vepruar me profesionalizëm deri në fund.

Reagimi i Xhaxhos:

Mirembrema! Mbi të gjitha, para çdo gjeje, do të doja të shprehja ngushëllimet më të sinqerta e të ngrohta familjarëve të djalit të vogël. Është një dhimbje e pafund.

Unë jam Profesor Roland Xhahxo, anestezist reanimator prej më shumë se 40 vjetësh. Detyra dhe misioni im ka qenë dhe është në çdo moment SHPËTIMI I JETËS!!

Duke qenë se në këto orë, është bërë një abuzim shumë i rëndë lidhur më këtë çështje, ndjehem i detyruar të bëj të njohur me situatën.

Fëmija kreu në klinikë procedurat dentare  nën anestezi të përgjithshme, ashtu siç ishim edhe sqaruar me prindërit, të cilët kanë firmosur edhe konsensusin.

Përse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me difekt në zemër, për të cilën është operuar rreth 2 vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni te këta fëmijë sepse shkaktojnë  infeksione të rënda në zemër (endokardit psh.). në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve, të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance, në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve.

Procedua ka qenë e zakonshme, rutinë, sipas të gjitha protokolleve internacionale dhe pa asnjë problematikë të veçantë.

Në këtë Klinikë kemi trajtuar mbi 2000 fëmijë me anestezi gjenerale për problemet dentare, ku rreth 1200 kanë qenë fëmijë të grupmoshës 3-6 vjeç.

Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij, duke kërkuar të takonte vëlllain më të vogël.

Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër ka qenë i zgjuar.

Me sa duket gjendja është komplikuar në ambientin e shtëpisë dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT nga prindërit.

Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në Klinikë në orën 12 të natës.

Unë sapo u informova, kontaktova urgjentisht me Kolegët në QSUT e me kërkesë të familjarëve të fëmijës, u drejtova në mëngjes në Reanimacionin e Pediatrisë të QSUT, ku kam qëndruar në çdo moment duke asistuar Kolegët e mi për të shpëtuar jetën e fëmijës.

Gjëndja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme.

Është shumë i gabuar mesazhi që po përcillet nëpër media, pasi rëndon shumë dhe gjendjen emocionale të familjarëve.

Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT së bashku me Kolegët e mi për të shpëtuar jetën e fëmijës ashtu siç kam bërë gjithmonë edhe në kohën e COVID-it më të egër.

Çdo hipotezë keqdashëse, lidhur me gjendjen e fëmijës gjatë anestezisë dhe procedurës dentare është e PAJUSITIFIKUAR.

Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do kenë më.

Por nga ana profesionale, garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment.