Vendosni fjalën kyçe....

Kallëzimi i Belerit/ Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Xhaçka shkon në SPAK


Artan Gaçi, bashkëshorti ish-ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka shkuar sot në SPAK.

Sipas raportimeve në media, Gaçi është thirrur për t’u marrë në pyetje për një kallëzim të bërë nga Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, që ndodhet pas hekurave për blerje votash.

Gaçi po merret në pyetje për akuzat që bëri Beleri, se ka përfituar si investitor strategjik tokë përmes procedurave të paligjshme, në zonën e Himarës.

Ndërkohë nuk dihet ende nëse SPAK do të thërrasë edhe ish-ministren Xhaçka, e cila po ashtu është kallëzuar penalisht nga Beleri.

Në kallëzimin penal të kryer nga Beleri, ai akuzon kryetarin në detyrë të kësaj Bashkie Jorgo Goro, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli,

‘Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.

Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.

Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj.

Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.’– thuhet në kallëzimin e kryer nga Fredi Beleri.

Beleri padit për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Falsifikim i dokumenteve, nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin; Foto Pavllo Mehilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve te veprës penale”. Artan Gaxhi, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.- Olta Xhaçka, ish- Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në një padi tjetër të kryer ndaj Jorgo Goros, Beleri i referohet auditimit të KLSH në bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021 ku sipas tij janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

‘Kam konstatuar se ky raport ka evidentuar një numër të madh të shkeljes së ligjeve prej drejtuesve të Bashkisë Himarë që vijojnë të jenë në detyrë dhe si edhe specialistëve dhe punonjësve të ndryshëm që konsistojnë veçanërisht në procedurat e tenderimeve publike, mos mbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin apo mos marrjen e masave për ndëshkimin e shkeljeve të mëparshme për subjekte të caktuar që kanë ndërtuar pa lejë apo kanë detyrime financiare ndaj bashkisë Himarë.’- thuhet në kallëzimin e kryer nga Beleri.

Një ditë më parë kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u mor në pyetje në SPAK për mbi tri orë. Ai nuk ka preferuar të flasë për mediat për shkak se siç tha, çështja është në hetim.

Ndaj tij janë bërë dy kallëzime penale, njëra prej të cilave nga Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i cili nuk ka marrë detyrën pasi u arrestua me akuzën e blerjes së votave