Vendosni fjalën kyçe....

Lajçak: Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duket mirë, mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës


Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të premten se rajoni i Ballkanit Perëndimor “nuk po duket aspak mirë dhe të gjithë kanë frikë se mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”.

Duke folur në Forumin 2BS në Budva, Lajçak theksoi se situata mes Serbisë dhe Kosovës është përkeqësuar pas konfliktit në veri të Kosovës më 24 shtator dhe se kjo është “sfidë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për këto dy vende. “

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

“Fatkeqësisht, pas asaj ngjarjeje situata është e tmerrshme. Tani më e rëndësishmja është vërtetimi i fakteve dhe nxjerrja e konkluzioneve dhe pasojave. Nga njëra anë, duhet të punohet për normalizim dhe dialog, por nga ana tjetër kemi përshkallëzim”, tha Lajçak.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë.