Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen të premten në Granada të Spanjës për të diskutuar për çështjet më sfiduese për bllokun: migrimin, zgjerimin dhe gjeopolitikën.
Muajve të fundit është vërejtur rritje e numrit të migrantëve në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, pavarësisht përparimit të arritur në negociatat për një reformë, migrimi mbetet temë që shkakton ndasi të thella brenda bllokut evropian.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të bisedojë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në margjina të takimit, pasi Meloni ëhtë shprehur e habitur me ndihmën financiare gjermane për organizatat civile që shpëtojnë migrantët në zonën e Mesdheut.
Mbetet të shihet nëse liderët e BE-së do të mund të pajtohen për një deklaratë të përbashkët për migrimin, pas tentimit të fundit të dështuar në qershor.
Një tjetër temë në agjendë është zgjerimi dhe idetë e ndryshme për reforma potenciale, në mënyrë që blloku të mbetet operacional nëse BE-së i shtohen më shumë vende.
Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë aplikuar për anëtarësim në BE, duke e rritur në 10 numrin e vendeve që synojnë bllokun evropian.
Shumë liderë të BE-së, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë në prag të takimit se “edhe BE, edhe vendet kandidate, duhet ta kryejnë pjesën e tyre të punës“.
Disa liderë kanë thënë se viti 2030, të cilin e ka përmendur presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si afat për t’u bërë gati për zgjerim, është një shtytje e mirë politike. Disa e shohin këtë datë si shumë të largët, të tjerë si shumë të shpejtë.
Kur janë pyetur për vendime konkrete rreth zgjerimit, liderët e BE-së kanë thënë se kjo do të varet nga raportet e progresit që Komisioni Evropian do t’i publikojë në fillim të muajit nëntor.
“Duke shikuar para drejt një bashkësie më të zgjeruar si BE-ja, ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare duhet të bëhen gati. Vendet aspirante duhet ta përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit, sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht, BE-ja duhet t’i vendosë themelet për t’u bërë gati për zgjerim. Ne do t’i paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato”, përmendet në draftin e Deklaratës që liderët e bllokut pritet ta miratojnë në Granada.
Ata pritet të diskutojnë edhe për prioritetet strategjike të bllokut për të ardhmen, përfshirë kapacitetet në mbrojtje, sigurinë energjetike, dhe përgjigjen kolektive ndaj krizës klimatike dhe pavarësinë ekonomike të 27 vendeve anëtare.
Diskutime për Kosovën
Burimet diplomatike në BE kanë thënë se në samitin e 6 tetorit do të flitet edhe për situatën në Kosovë dhe tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Të njëjtat burime kanë thënë se ekziston një presion nga shumë vende anëtare që të vendosen masa ndaj Serbisë.
Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Shumë liderë kanë bërë thirrje që të ulen tensionet dhe që edhe Kosova edhe Serbia të kuptojnë se normalizimi i raporteve mes tyre është po ashtu kusht për përparim drejt integrimit në BE. Këtë e ka thënë para gazetarëve edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Një ditë para samitit të BE-së në Granada, në margjina të një samiti të Bashkësisë Politike Evropiane, janë zhvilluar disa takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, por nuk është arritur që të organizohet një takim mes tyre.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.