Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar moment historik të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe të përafrimit me Bashkimin Evropian, nënshkrimin e marrëveshjes për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë.
“U finalizua sot nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen në Tiranë të Kampusit të Kolegjit të Evropës, një moment historik, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe të përafrimit me Bashkimin Evropian”, ka shkruar Rama.
Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës u nënshkrua sot në Tiranë.
Kolegji i Europës, një nga institucionet kryesore në zhvillimin dhe promovimin e projektit europian, do të vendoset në një nga simbolet e transformuara të kryeqytetit, te Piramida, ndërtesë që po merr një pamje të re, për t’u shndërruar në qendrën e teknologjisë dhe informacionit për Ballkanin Perëndimor.
Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë u firmos sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në praninë e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.