Vendosni fjalën kyçe....

Ethet tropikale do bëhen endemike në SHBA dhe Evropë – Paralajmërimi i OBSH-së


Ethet tropikale do bëhen endemike në pjesë të SHBA-së, Evropës dhe Afrikës gjatë dekadës së ardhshme për shkak të ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit, tha të premten për Reuters shefi shkencëtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Jeremy Farrar.

Farrar pohoi se sëmundja do ‘marrë hov’ në këto rajone gjatë dekadës së ardhshme pasi mushkonjat që e përhapin atë migrojnë në zonat e SHBA-së jugore, Evropës dhe Afrikës Sub-Sahariane.

“Ne duhet të flasim në mënyrë shumë më proaktive për sëmundjen”, tha ai për Reuters.

“Ne duhet t’i përgatisim vërtet vendet për mënyrën se si do përballen me presionin shtesë që do vijë në të ardhmen në shumë e shumë qytete të mëdha.”

Ethet tropikale kanë qenë prej kohësh endemike në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore dhe Amerikës Latine. Zakonisht shkakton 20,000 vdekje në vit, dhe Reuters vuri në dukje se rastet janë rritur tetëfish që nga viti 2000.

Bangladeshi aktualisht po përjeton shpërthimin e tij më të keq ndonjëherë të etheve tropikale, me më shumë se 208,000 raste dhe 1,000 vdekje të regjistruara që nga janari, sipas autoriteteve vendase.

Ethet tropikale përhapen nga mushkonjat Aedes aegypti, një racë e ndryshme nga mushkonjat Anopheles që bartin malarien. Mushkonjat Aedes aegypti kafshojnë gjatë ditës dhe natës dhe mund të gjenden brenda dhe jashtë.

Ata që preken nga ethet tropikale përjetojnë ethe, spazma muskulore, të përziera dhe në raste ekstreme dhimbje kyçesh aq të forta sa që sëmundja quhet ‘ethet e thyerjes së kockave’. Shumica e pacientëve shërohen në më pak se dy javë dhe më pak se 1% e rasteve janë fatale.

Dy vaksina janë në dispozicion: Dengvaxia e miratuar më gjerësisht, e cila kërkon ekspozim të mëparshëm ndaj sëmundjes dhe Qdenga, e miratuar vitin e kaluar në Britani, BE dhe një pjesë të vogël të vendeve të Amerikës së Jugut dhe Azisë.