Autoritetet gjyqësore në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar një person që dyshohet se ishte përgatitur që të kryente një “sulm të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”.
Prokuroria Speciale tha se i dyshuari B.M, për disa muaj kishte bërë plane dhe përgatitje për këtë sulm.
“Me këto veprime i pandehuri B.M. do të kryente veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës’”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria bëri të ditur se gjykata kompetente ka miratuar kërkesën e tyre dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që përgatit kryerjen e një vepre terroriste mund të dënohet nga pesë deri në 20 vjet burgim./ REL.