Vendosni fjalën kyçe....

Kombëtarja nis grumbullimin, mbrojtësi kuqezi do të mungojë ndaj ndeshjes Çeki-Bullgari


Kombëtarja ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e radhës ndaj Republikës Çeke dhe Bullgarisë, me lojtarët e parë që kanë mbërritur në Tiranë pasi kanë mbaruar impenjimet me klubet e tyre këtë fundjavë.

Gjatë të dielës janë bashkuar me grupin futbollistët Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami dhe Federic Veseli, ndërkohë që gjatë mbrëmjes dhe gjatë të hënës do të mbërrijnë edhe lojtarët e tjerë të ftuar për sfidat e tetorit.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli është paraqitur në grumbullim dhe i është nënshtruar kontrollin nga stafi mjekësor kuqezi. Futbollisti ka pasur një tërheqje muskulore në kofshë në ndeshjen e fundit me Empolin dhe pas testeve mjekësore dhe konsultimeve është dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë.

Kësisoj, Ismajli është kthyer në Itali pranë klubit dhe pas disa ditëve pushim do të nisë rikuperimin gradual për t’u rikthyer gradualisht në fushë.

Ndërkaq, grupi i lojtarëve që ishin të pranishëm këtë të dielë kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore pa ngarkesa fizike në fushën e Shtëpisë së Futbollit nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij.

Kombëtarja do të zhvillojë një seancë të plotë të hënën pasdite duke nisur plotësisht përgatitjet për duelin e rëndësishëm të kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Çekisë, që luhet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës më 12 tetor. Më datë 17 tetor, Shqipëria do të luajë miqësore ndaj Bullgarisë po në stadiumin e kryeqytetit.