Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla thotë se dy javë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, policia ka gjetur dokumentin dhe automjetin e Milorad Jevtiç.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla u shpreh se Jetviç njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiç, djalit të presidentit serb Aleksandër Vuciç.
“Dy javë pas sulmit terrorist në Banjska, vijojmë me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi. Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësite policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciç, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciç.
Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciçit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njejtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan. Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkruan Sveçla në Facebook.