Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi kundër Izraelit, rrezikon po kaq shumë Kosovën dhe Shqipërinë


Nga Mero  Baze

Sulmi i papritur i Hamasit kundër Izraelit, i cili ka një ngjashmëri të frikshme me Pearl Harbor-in, ka ndarë botën dhe ka rikthyer makthin e një lufte të përgjakshme, e cila nga një anë ka frymëzim fetar, dhe nga ana tjetër ka një vend që mbron kufijtë dhe territorin e tij nga një sulm terrorist.

Kjo luftë nëse nuk mbyllet shpejt dhe nëse nuk mbyllet me një fitore të plotë të Izraelit, rrezikon të jetë lufta që do të ndryshojë tërësisht botën dhe qytetërimin tonë.

Shqiptarët janë zyrtarisht në anën e Izraelit, bazuar jo vetëm në historinë mes dy vendeve, por mbi principet që një vend duhet të mbrojë dhe komunitetin ku bën pjesë si një vend që aspiron Perëndimin. 

Është mirë që gjithë klasa politike në Kosovë dhe Shqipëri u shprehën qartë pro Izraelit dhe kundër sulmit terrorist mbi shtetin e Izraelit. Është koha që shqiptarët të jenë të qartë në cilën anë të historisë janë. 

Por as shqiptarët nuk do të shpëtojnë pa pasoja nga kjo luftë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ul shumë vëmendjen dhe fokusin nga problem i Kosovës, i cili për fat këto dy javët e fundit ishte në qendër të debatit politik ndërkombëtar. Ndezja e një konflikti kaq madhor dhe kaq ndikues për botën, rrezikon të shfokusojë vëmendjen nga situata po aq delikate në Veri të Kosovës. 

Ndaj në këto momente, Kosova, por dhe Shqipëria, duhet të ruajnë qartësinë, për aleancat e tyre me Perëndimin, me qëllim që çdo zhvillim në Veri të Kosovës, të jetë pjesë e agjendës perëndimore kundër konfliktit.

Mbi të gjitha, udhëheqja politike në Kosovë, nuk duhet të sillet sikur është në qendër të botës dhe sikur gjithë bota i ka borxh të dëgjojë vogëlsira që mbysin kauzën e madhe të saj. Me këtë rast është mirë të hiqet dorë nga taktikat e lodhshme dhe teoritë konspirative anti-amerikane të një segmenti të rëndësishëm të politikës së Kosovës dhe natyrisht të afishohet qartë qëndrimi i Shqipërisë dhe Kosovës pro Izraelit në këtë konflikt.

Izreali është vendi më i rëndësishëm që ka njohur katër vitet e fundit Kosovën, dhe kjo falë ndikimit të SHBA, përkundër vendeve aleate të Hamasit që nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosoven. 

Në një farë mënyre aleancat historike janë paracaktuar. Ne vetëm duhet t’i respektojmë ato duke ja kursyer tanimë aleatëve tanë, papjekurinë në trajtimin e konfliktit Kosovë- Serbi, duke rrezikuar të humbasim vëmendjen dhe mbështetjen e Perëndimit.

Raketat e Hamasit mbi Izrael, nuk përgjakin vetëm Izraelin, por janë po ashtu plagë të hapura mbi shqiptarët dhe historinë e tyre të rrezikuar nga “Hamasi” ballkanik. Por që kjo betejë të mos shurdhohet nga zhurma e raketave mbi Izrael, duhet qartësi dhe mençuri për t’u sjellur si aleatë të një lufte që sa ka nisur.