Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama do të kontrollojë çdo pushtet në vend, pengun Basha e servir si opozitarin e tij


Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot sërish kreun e maxhorancës Edi Rama se po kërkon t’i imponojë shoqërisë si drejtues opozite, Lulzim Bashën.

Gjatë mbledhjes së kryesisë së Rithemelimit, Berisha tha se Rama do të kontrollojë çdo pushtet në vend.

“Edi Rama do të kontrollojë çdo gjë, të gjitha pushtetet në këtë vend. Ka krijuar atë që në gjuhën popullore quhet shpif-opozitë. Në gjuhën aktuale, fake-opozitë. Përdor një peng të shpërfytyruar nga çdo lloj integriteti moral, politik, njerëzor, të çfarëdollojshëm, që quhet Lul Brava. Dhe do t’ua servirë shqiptarëve këtë, si opozitarin e tij”.

Ish-kryeministri pranoi gjithashtu se analiza për humbjen e 14 majit në bazë është duke ecur me ritme të ngadalta.

“Ne nisëm analizën në parti, ritmet e kësaj analize janë të ngadalta. Por analiza është e domosdoshme për të paraqitur para mbështetësve tanë tabllonë e vërtetë të farsës elektorale maj 2014. Jo rrallë dëgjon fjalët “ne i dime problemet”. Ne punojmë me durim dhe ata të cilët krejt të qartë nuk e kanë, edhe për ata që thonë “Edi Rama i vjedh por i fiton zgjedhjet”. Procesi i bashkimit nuk është i thjeshtë, nuk mund të ndodhë ndryshe veçse si një proces reflektimesh që kërkon maturimin e tij. E vërteta është që ky proces ka tronditur thellë Edi Ramën dhe e ka nxjerrë përsëri ashtu siç është, një armik i egër i opozitarizmit të vërtetë. Personalisht jam optimist për këtë proces”. – u shpreh Berisha.