Policia ditën e sotme konkludoi në operacionin “Flakë në det” për rastin e dështuar të një transaksioni droge në det në muajin gusht.
Në prangat e policisë ra edhe shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.
Metaj akuzohet si i lidhur me bandën e Fushë Kuqes dhe duket se ka pasur rol në rastin e trafikut të kanabisit.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku deklaroi se është provuar që shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta ka pasur rol në grupin e strukturuar kriminal.
“Kemi një vendim të Gjykatës të Posaçme, gjithçka që është vënë në dispozicion të prokurorëve do të thotë që kemi dokumentuar të gjithë rolin dhe përfshirjen e tij në mbështetje të grupit të strukturuar kriminal. Për hollësi të mëtejshme ia lëmë hetimit” tha Rrumbullaku.
Metaj u emërua shef komisariati në Laç në mars të këtij viti.
Operacioni i gushtit
Megaoperacioni filloi menjëherë pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen e një mjeti lundrues të shpejtë, nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Ky mjet lundrues ka kontaktuar në det në një distancë 12 milje një tjetër mjet lundrues tip Velierë, dhe dyshohet se shtetasit në këto 2 mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.
Në megaoperacion u përfshinë avionët e FRONTEX-it, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjete të GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e velierës.
Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi, kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë.
Në të njëjtën kohë kur u nderhy nga deti, Forcat Speciale “RENEA” ndërhynë nga toka, në ambientet e një lokali në lagunën e Patokut, ku qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.
Në vijim, u shoqëruan në Polici dhe u arrestuan 4 shtetas shqiptar dhe 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapen në mjetin e vogël lundrues, në afërsi të velierës, të cilës i kishin vënë zjarrin.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë megaoperacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera.
Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS.