Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar ndihmë shtesë për Izraelin pas sulmit të befasishëm ndaj shtetit hebre nga grupi militant Hamas të shtunën. Ndërkohë që qeveria izraelite shpalli luftë dhe Izraeli vazhdon të bombardojë objektivat në Rripin e Gazës, në hakmarrje për ndërhyrjen e Hamasit në territorin e vendit, zyrtarët amerikanë janë angazhuar të ulin tensionet në rajon.
Ambasada amerikane në Izrael paralajmëroi qytetarët amerikanë se situata mbetet e “paparashikueshme”, ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni po vazhdon të bëjë përpjekje për ta shtensionuar gjendjen.
“Kam biseduar me presidentin izraelit, me ministrin e jashtëm. E gjithë qeveria është e angazhuar në rajon dhe më gjerë, për të mobilizuar përkrahje për Izraelin dhe për t’u siguruar që të gjitha shtetet po përdorin ndikimin e mjetet që kanë në dispozicion për ta frenuar Hamasin dhe për t’u siguruar që konflikti nuk shpërthen në pjesë të tjera,” deklaroi zoti Blinken.
Mbi 20,000 njerëz janë strehuar në shkollat e operuara nga Kombet e Bashkuara për refugjatët palestinezë.
Ndërkohë, familjarët e civilëve izraelitë që supozohet se po mbahen peng nga Hamasi shkuan në stacionet e policisë për të dhënë mostra të AND-së për të ndihmuar hetimet.
Uashingtoni po bën përpjekje për të mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm për shtetasit amerikanë të prekur. Departamanti i Shtetit konfirmoi të hënën se nëntë amerikanë janë mes të vdekurve në Izrael, përcjell VOA.
“Për qeverinë tonë, për këtë administratë, amerikanët që po mbahen apo që janë pengje, janë me përparësi,” tha zoti Blinken.
Detajet se si është kryer sulmi i befasishëm në Izrael ende nuk janë të plota, por kandidatja republikane në garën presidenciale dhe ish ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos i kushtojnë vëmendje të theksuar zhvillimeve atje, edhe përkundër sfidave politike të brendshme.
“Amerika duhet të zgjohet. Na duhet të heqim dorë nga ndasitë mes nesh. Dhe na duhet të përqëndrohemi në sigurinë kombëtare tonë dhe të miqve tanë,” deklaroi zonja Haley.
Ligjvënësi republikan, Matt Gaetz, i cili së fundi mori nismën për shkarkimin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, në një intervistë për televizionin NBC, u shpreh optimist se hendeku politik, që disa druhen se mund të ngadalësojë ndihmën për Izraelin, do të mbyllet në të ardhmen e afërt.
“Mendoj se do ta zgjidhim shpejt. Mendoj se i kemi dy alternativa shumë të mira,” tha ai.
Shtëpia e Bardhë njoftoi ndërkohë që Presidenti Joe Biden po dërgon ndihmë shtesë për Izraelin dhe do të mbajë kontakte të ngushta me qeverinë e Izraelit.