Vendosni fjalën kyçe....

“Ushtria izraelite kreu 15 masakra kundër familjeve palestineze në Gaza” – Zyrtari palestinez


Ushtria izraelite ka kryer 15 masakra kundër familjeve palestineze në Gaza gjatë dy ditëve të fundit, tha të hënën një zyrtar palestinez në administratën e Gazës, shkruan Anadolu Agency.

“Në kundërshtim me pretendimet e pushtimit izraelit për shënjestrimin e aftësive të rezistencës, ushtria okupuese kreu 15 masakra duke bombarduar shtëpitë e tyre drejtpërdrejt pa asnjë paralajmërim”, tha në një deklaratë Salama Marouf, kryetar i zyrës së mediave në Gaza.

Marouf shtoi se ushtria izraelite është tërësisht fajtore për këto masakra të civilëve.

“Ky realitet i vështirë kërkon një veprim urgjent nga organizatat përkatëse të bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar pushtimin izraelit që po ndjek politikën e tokës së djegur brenda zonave me banim të dendur,” shtoi ai.

Të hënën herët, ushtria izraelite konfirmoi se kishte goditur mbi 500 objektiva në Gaza gjatë bastisjeve gjatë natës, duke thënë se ato ishin objektiva të Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Grupi i rezistencës me bazë në Gaza, Hamasi, nisi operacionin ‘Al-Aqsa Flood’ kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash. Ai tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurt’ kundër Hamasit në Rripin e Gazës, duke vrarë afro 500 palestinezë dhe duke plagosur të paktën 2751 të tjerë.

Të paktën 700 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2,300 të tjerë janë plagosur në luftime, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.