Vendosni fjalën kyçe....

Video/ Vijon bojkoti te Mjekësia, studentët kundër ligjit që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit


Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë vijuar dhe ditën e sotme protestën e paralajmëruar prej disa ditësh.

Ata janë mbledhur para ambienteve të universitetit dhe në këtë mënyrë po bojkotojnë sërish mësimin në shenjë proteste për ligjin e ri të miratuar për punën e detyruar që duhet të bëjnë brenda vendit. 

Ligji i ri i detyron mjekët e sapo diplomuar të japin shërbimin e tyre në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare, para se ata të marrin diplomën për përfundimin e studimeve të tyre.

Studentët nuk e kanë mirëpritur aspak këtë ligj duke e refuzuar kategorikisht dhe e konsiderojnë atë si të padrejtë, ndërsa çështja ka kaluar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Njëri prej tyre është shprehur se pas tubimit pranë ambienteve të Universitetit të Mjekësisë, ata do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.

Mjekët e rinj kërkojnë dorëheqjen nga detyra të zëvendës-ministres së Arsimit, me arsyetimin se ajo ka deklaruar në mënyrë arbitrare se studentët që nuk pranojnë të paguajnë tarifat e reja duhet të ndërpresin studimet.

Gjithashtu ata kërkojnë një përballje publike me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi sipas tyre ajo nuk ka pranuar më herët ballafaqimin me ata.