Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, doli në një konferencë për shtyp nga selia blu për të denoncuar sërish mega-aferën e inceneratorëve, ku ka publikuar një e-mail të shkëmbyer mes punonjësve të kompanisë Zoto Consulting.
Në e-mailin e publikuar, Këlliçi tregon komunikimin mes Farudin Arapit, i caktuar si Administrator Shtetëror i kompanisë së inceneratorëve, me punonjësit e kësaj kompanie.
“Nga ky komunikim faktohet se Farudin Arapi ka vizituar zyrat e Zoto Consulting për të arritur një akord të përbashkët për strategjinë që do ndiqej në përballjen me Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, të kërkuar dhe të ngritur nga opozita.
Gjëja e parë që bie në sy në këtë e-mail është se, nuk janë punonjësit e firmës së sekuestruar që shkojnë tek Administratori Shtetëror, por është ky që shkon te vartësit e Klodian Zotos. Është e qartë pra se, loja luhet në fushën e të dyshuarve, e jo të kontrollorëve,” tha Këlliçi.
Këlliçi garanton në përfundim se Edi Rama, Erion Veliaj dhe të gjithë ata që kanë menduar se për momentin ja kanë hedhur sistemit, do të përballen së shpejti me drejtësinë, përmes padive të reja, që Partia Demokratike do të depozitojë në SPAK, për këtë aferë.
DEKLARATA E PLOTË
Po bëjmë publike ditën e sotme një e-mail autentik të shkëmbyer mes punonjësve të kompanisë në pronësi të Klodian Zotos, Zoto Consulting.
Më 3 mars 2022, tre muaj pasi Farudin Arapi ishte caktuar Adminstrator Shtetëror, i Integrated Technology Services, kompanisë tashmë famëkeqe të inceneratorëve, mes punonjësve të kompanisë tjetër të Klodian Zotos, Zoto Consulting, shkëmbehen e-maile që dëshmojnë hapur se, ashtu si inceneratorët ishin një skemë e pastër e qeverisë, edhe përcaktimi i Administratorit Shtetëror ishte pjesë e kësaj skeme.
Nga ky komunikim faktohet se Farudin Arapi ka vizituar zyrat e Zoto Consulting për të arritur një akord të përbashkët për strategjinë që do ndiqej në përballjen me Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, të kërkuar dhe të ngritur nga opozita.
Gjëja e parë që bie në sy në këtë e-mail është se, nuk janë punonjësit e firmës së sekuestruar që shkojnë tek Administratori Shtetëror, por është ky që shkon te vartësit e Klodian Zotos. Është e qartë pra se, loja luhet në fushën e të dyshuarve, e jo të kontrollorëve.
Por ajo që përbën një dhunim flagrant të rregullave dhe hedh baltë mbi Parlamentin e Shqipërisë si organi më i lartë në vend, është se janë punonjësit e kompanisë së sekuestruar që “i sugjerojnë” Administratorit Shtetëror se çfarë dokumentash duhet të dorëzojë para Komisionit Hetimor Parlamentar.
Për dokumentet që kërkohen nga Komisioni Hetimor Parlamentar, punonjësi i Klodian Zotos, Laert Zifla, i sugjeron Administratorit Shtetëror, që të japë një përgjigje evazive, pasi prevalon hetimi penal. Më pas Zifla i raporton Denisa Tollkuçit (Administratores së Zoto Consulting dhe ITS), se “i sugjeroi” Farudin Arapit që ai duhej të komunikonte me këtë të fundit dhe të vijonte me përgjigjen e pjesshme drejtuar Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi. Farudin Arapi sipas këtij dokumenti, e pranon skemën, duke u vetë ofruar dhe duke thënë se do të flasë me një person të quajtur Juli, e më pas mbase do t’i japë një përgjigje të pjesshme Komisionit Hetimor.
Për hatër dhe në favor të Klodian Zotos, tashmë i dënuar nga drejtësia për aferën e Inceneratorëve, Administratori i Shtetit, Farudin Arapi, pranon kështu se do të mashtrojë ose keqdrejtojë Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur me votën e qytetarëve.
Ajo që dihet dhe kuptohet qartë është se Farudin Arapi nuk e shkel etikën dhe ligjin për hatër të Klodian Zotos dhe as punonjësve të tij. Ai e bën këtë sepse ka marrë direktiva nga lart dhe për këtë arsye është caktuar në këtë rol.
Siç e kemi përsëritur me fjalë dhe treguar me fakte, pas skemës së inceneratorëve është Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ata janë ideatorët, nismëtarët dhe përfituesit kryesorë të megaskemës së kësaj afere. Klodianët, Mirelët, Alqët, Lefterët, Arbenët, dhe Farudinët e të tjerë, janë vetëm instrumenta që dyshja Rama – Veliaj ka përdorur për të zhvatur dhe ndarë qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve.
Kjo është një provë e pakundërshtueshme, e zezë mbi të bardhë, e asaj që ka ndodhur në prapaskenë dhe të përfshirjes qeveritare, jo pasive, por si aktor kryesor në skemën e inceneratorëve.
Kjo është ajo që në gjuhën e provave quhet ‘arma që nxjerr tym’ dhe menjëherë pas kësaj deklarate, do t’i shkojë personalisht z. Altin Dumani, kreut të SPAK, si provë për hetime të mëtejshme.
Gjej rastin të falënderoj për besimin, qytetarët të cilët na kanë sjellë gjatë këtyre muajve një duzinë materialesh dhe dokumentesh, të cilat po shqyrtohen me imtësi nga grupi i punës i ngritur pranë Partisë Demokratike, të cilat po na ndihmojnë në zbardhjen e pjesëve ende të panjohura të aferës së Inceneratorëve.
Garantojmë qytetarët shqiptarë dhe në veçanti kryeqytetasit, se Edi Rama, Erion Veliaj dhe të gjithë ata që kanë menduar se për momentin ja kanë hedhur sistemit, do të përballen së shpejti me drejtësinë, përmes padive të reja, që Partia Demokratike do të depozitojë në SPAK, për këtë aferë.