Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Konferencën e Kryetarëve, Tabaku: Përjashtimi i 8 deputetëve, i turpshëm, ishte formë demokratike proteste


Në Konferencën e Kryetarëve dy deputetët e opozitës, Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku kanë kundërshtuar vendimin e Kuvendit për pezullimin e 8 deputetëve për 10 ditë si masë disiplinore.

Është turp që keni përjashtuar opozitën nga seanca. Ky është vendim arbitrar dhe i turpshëm. Më kujtohet një slogan juaji “Shqipëria që duam” dështuat ta bënit këtë. Tani po bëni “opozita që duam”. Akti ynë ishte simbolik.”- tha Gjekmarkaj.

Edhe Tabaku qëndroi në të njëjtën linjë me Gjekamarkaj. Ajo u shpreh se nga reagimi i deputetëve të opozitës nuk u cenua njeri por ishte një lloj forme demokratike e protestës.

 “Përjashtimi i deputetëve të PD-së i turpshëm.  Seanca u bllokua për një kërkesë legjitime që ju e refuzuat. Ju na keni kufizuar hapësirat. Vendimi erdhi pasi ju refuzuat të fusni në rend një kërkesë të grupit tonë. Nuk cenuam askënd fizikisht, ishte formë demokratike proteste.”- tha Tabaku.

Tetë deputetë të opozitës u përjashtuan me kërkesë të Partisë Socialiste për shkak të incidenteve në përfundim të seancës të gjatë të Kuvendit, ku bllokuan foltoren duke bërë që maratona të mbyllet pa u votuar rendi i ditës.

Deputetët e opozitës Elda Hoti, Albana Vokshi, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani, Luan Baçi dhe Gazment Bardhi u penalizuan nga Këshilli i etikës, pasi bllokuan foltoren, e madje edhe karrigen e vetë kryeparlamentares, ndërsa mes kaosit Lindita Nikolla njoftoi mbylljen e seancës dhe shtyrjen e votimeve për seancën e radhës plenare. Sekretariati i Etikës, vetëm me votat e mazhorancës, i ka përjashtuar për 10 ditë deputetët.