Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi/ Forcat speciale britanike akuzohen për vrasjen e 9 afganëve ‘në shtretërit e tyre’ – BBC


Forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar vranë nëntë persona ‘në shtretërit e tyre’ gjatë një bastisjeje natën në Afganistan, ka theksuar një hetim i pavarur.

Familjarët thonë se viktimat ishin civilë të paarmatosur. Ndërkohë SAS ka pretenduar se ata vepruan në kushtet e vetëmbrojtjes.

Oficerët e lartë dyshonin se trupat po zbatonin një politikë të ekzekutimit të burrave në ‘moshë pëër armë’ edhe nëse nuk përbënin kërcënim.

Qeveria njoftoi hetimin pasi BBC Panorama zbuloi se një skuadrilje SAS vrau 54 njerëz në rrethana të dyshimta në një turne gjashtë mujor.

Seancat dëgjimore u zhvilluan në Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë në Londër të hënën, ku forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar u akuzuan për ‘abuzim’ të bastisjeve të natës për të kryer vrasje ‘të shumta’ jashtëgjyqësore, të cilat dyshohet se më vonë u mbuluan.

Qindra operacione të qëllimshme ndalimi u kryen nga forcat speciale midis 2010 dhe 2013.

Këshilltari kryesor i hetimit, Oliver Glasgoë KC, përcaktoi hollësitë e shtatë misioneve të veçanta të vrasjes/kapjes që përfshinin vdekjen e 33 personave, duke përfshirë një numër fëmijësh.

Vrasjet e supozuara të paligjshme të nëntë personave në distriktin Nad Ali të Helmandit kuptohet se kanë ndodhur ndërsa një numër familjesh u mblodhën përpara mëngjesit më 7 shkurt 2011.

Ata po flinin në një ndërtesë me një dhomë.

SAS tha se ata kishin qëlluar në vetëmbrojtje pasi ishte qëlluar mbi të. Glasgoë vuri në dukje lartësinë e ulët të asaj që duket të jenë vrima plumbash në muret e ndërtesës, të zbuluar për herë të parë nga BBC vitin e kaluar.

Habibullah Alizai, i cili zotëron shtëpinë që u bastis më 7 shkurt, tha se ai u zgjua nga “zhurma e të bërtiturave dhe të shtënat me armë” përpara se ushtarët ta merrnin nga dhoma e tij për ta “marrë në pyetje dhe rrahur”.

Alizai ishte i pari që zbuloi trupat e dy djemve të tij dhe shtatë të tjerëve që ishin vrarë.

Glasgoë tha në seancë: “Familja këmbëngul se të gjithë të vdekurit ishin civilë të pafajshëm, se askush në kompleks nuk ishte i armatosur dhe se nuk kishte armë të pranishme. Ne parashikojmë se provat nga familjet do jenë se ata u qëlluan në shtrat, me shumë mundësi teksa ishin në gjumë.”

Familja tha se më i vogli ishte 14 vjeç.

Skuadrilja e forcave speciale tha në dokumentacionin post-operativ se operativët ishin “qëlluar nga njerëz të armatosur”, kështu që kthyen zjarrin, duke çuar në nëntë të vdekur.

Ai shtoi se tre automatikë AK-47 u gjetën në ndërtesë. SAS është akuzuar se i ka vendosur armët vetë aty për të justifikuar vrasjet e paligjshme.

Një rishikim i incidenteve të rënda të forcave speciale të brendshme, i cili kishte qasje në fotografitë e marra nga SAS në vendngjarje dhe deklaratat e trupave britanike të përfshira, arriti në përfundimin se “veprimet e ndërmarra ishin plotësisht të përshtatshme” dhe rekomandoi “mosveprime të mëtejshme hetimore”.

Hetimi është vendosur për të dëgjuar parashtresat në emër të familjeve të 33 personave, përfshirë tetë nën 18 vjeç, të cilët u vranë nga forcat speciale.

Anëtarët e familjeve i kërkuan hetimit të ‘nxjerrë të vërtetën’.

Do shqyrtohen gjithashtu pretendimet për fshehje të veprimtarisë së paligjshme dhe hetime të pamjaftueshme nga Policia Ushtarake Mbretërore (RMP).

‘Familja ime dëshiron të vërtetën’

Një anëtar i familjes Saifullah, babai, dy vëllezërit dhe kushëriri i të cilit u vranë nga e njëjta skuadron SAS gjatë një bastisjeje nate më 16 shkurt 2011, tha se ata ‘po shohin makthe’ në gjumë që nga bastisja nga forcat britanike.

“Unë dhe familja ime kërkojmë nga grupi hetimor që të na japë të vërtetën dhe të na shpjegojë pse dhe mbi çfarë baze na është dashur të kalojmë këtë mizori”, thanë ata.

Mansour Aziz i ka bërë thirrje hetimit për të dëgjuar dy fëmijë që u plagosën rëndë nga forcat britanike gjatë një bastisjeje natën në shtëpinë e tyre familjare në gusht 2012. Ekzistenca e operacionit shumë të klasifikuar u zbulua për herë të parë nga BBC vitin e kaluar.

Ai tha: “Shtëpia jonë u bastis nga të huajt dhe vëllai dhe kunata ime u vranë dhe dy fëmijët e tyre u plagosën rëndë teksa flinin në shtratin e tyre. Ne duam të dimë të vërtetën dhe pse është bastisur shtëpia jonë. Kërkojmë që gjykata të dëgjojë këta fëmijë dhe të vendosë drejtësinë.”

Imran ishte tre vjeç dhe vëllai i tij Bilali një e gjysmë kur u qëlluan dhe u plagosën rëndë nga forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar.

Glasgoë tha gjithashtu në dëgjimin e pretendimeve se njësitë partnere afgane ‘kundërshtuan të shërbenin me forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar për shkak të sjelljes së tyre’.

Zoti Justice Haddon-Cave po kryeson hetimin e pavarur

Në parashtrimet e tij hyrëse, ai tha: “Dua të mos ketë keqkuptim për ata që kanë diçka për të fshehur – hetimi do përdorë të gjitha fuqitë e tij për t’u siguruar që nëse ka informacion të besueshëm për keqbërje…pa marrë parasysh se sa i lartë është pozicioni i tyre, ato i referohen organeve përkatëse.”

Dy operacione RMP, të koduara Operacioni Cestro dhe Operacioni Northmoor, pritet gjithashtu të shqyrtohen nga hetimi.

Ky i fundit, një projekt prej 10 milionë stërlinash i krijuar në vitin 2014 për të shqyrtuar akuzat për keqbërje nga forcat e armatosura britanike, përfshinte mbi 100 oficerë të policisë ushtarake. Detektivët e saj hetuan provat se një skuadrilje e SAS kishte vrarë dhjetëra burra të paarmatosur, të burgosur dhe civilë, por nuk çoi në ngritjen e asnjë akuze.

Operacioni Cestro hetoi vrasjen e katër të rinjve në fshatin Loy Bagh në Helmand më 18 tetor 2012. Më të rinjtë ishin 14 dhe 12 vjeç kur u vranë nga një anëtar i SAS. RMP referoi tre ushtarë në Autoritetin e Prokurorisë së Shërbimit – duke përfshirë edhe sulmuesin për katër akuza për vrasje – por nuk çoi në ndjekje penale.

Mohammed Tayeb, 14 vjeç, është vrarë në fshatin Loy Bagh në Helmand

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur hetimin ndërsa vazhdon punën e tij. Nuk është e përshtatshme për ne të komentojmë mbi pretendimet që mund të jenë brenda fushëveprimit të hetimit ligjor dhe i takon ekipit të hetimit ligjor, të udhëhequr nga Lord Justice Haddon-Cave, të përcaktojë se cilat akuza hetohen.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani