Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei, ka shpërndarë në platformën e tij X (ish-Twitter) një mesazh në mbështetje të terroristëve të Hamas, teksa akuzon “sionizmin” për krime ndaj palestinezëve.
“Krerët e regjimit sionist dhe mbështetësit e tyre duhet ta dinë se masakra dhe vrasja masive e popullit të Gazës do të shkaktojë një fatkeqësi më të madhe mbi ta”, shkruan Khamenei.
Por përgjigja ka qenë e menjëhershme nga llogaria zyrtare e shtetit të Izraelit, ku kanë shkruar se Irani do pendohet shumë shpejt për veprimet e tyre barbare. Reagimi i tyre erdhi disa orë pas një fjalimi televiziv më 9 tetor, në të cilin Khamenei lavdëroi Hamasin për sulmin e tij ndaj Izraelit, i cili ka vrarë më shumë se 1,000 izraelitë që nga e shtuna, i cili mohoi se Irani kishte luajtur rol kryesor në këtë operacion, raporton Wionews.
“Është e lehtë të jesh i guximshëm kur fshihesh pas tastierës. Ju dhe miqtë tuaj të Hamasit do të pendoheni shumë shpejt për veprimet tuaja barbare”, shkroi faqja zyrtare e Izraelit në Twitter (X).
Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë arritur majat, teksa zyrtarë të shumtë izraelitë kanë akuzuar se Irani ka trajnuar dhe financuar terroristët e Hamasit.