Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë po shqyrtojnë nëse do të përfshijnë më shumë fonde për Ukrainën në një paketë ndihme urgjente për Izraelin, kanë raportuar disa media.
Një punonjës sugjeroi se masa do detyronte ligjvënësit e “të djathtës ekstreme” të autorizonin ndihmë shtesë për Kievin.
Megjithëse presidenti Joe Biden kishte njoftuar tashmë se ndihma ushtarake për Izraelin ishte rrugës pas një sulmi të befasishëm nga militantët palestinezë gjatë fundjavës, Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se së shpejti do t’i kërkojë Kongresit të miratojë ndihmë shtesë për shtetin hebre.
Ligjvënësit në të dyja partitë dhe zyrtarë të lartë të administratës kanë lënë të kuptohet se paketa e ndihmës mund të përfshijë gjithashtu dispozita për Ukrainën, thanë burime të paidentifikuara për Washington Post, NBC News dhe media të tjera të hënën.
Ndërsa debati mbi ndihmën ka të ngjarë të jetë i diskutueshëm, Pentagoni ka këmbëngulur se ka shumë armë për të gjithë partnerët amerikanë.
Gjatë një konference të hënën, një zyrtar i lartë i mbrojtjes u tha gazetarëve se Uashingtoni mund të “vazhdojë mbështetjen tonë si për Ukrainën, Izraelin, dhe për të ruajtur gatishmërinë tonë globale”, duke vënë në dukje se SHBA-të kanë qenë në gjendje të përmbushin “çdo kërkesë që homologët tanë izraelitë kanë bërë.”
Izraeli është ndër marrësit më të mëdhenj të ndihmës së huaj amerikane, duke marrë rreth 3.3 miliardë dollarë dollarë amerikanë vetëm në vitin 2022 – një shumë e krahasueshme me vitet e mëparshme – sipas statistikave të qeverisë amerikane.
Që nga përshkallëzimi i konfliktit me Rusinë në shkurt 2022, Ukraina është bërë gjithashtu një përfituese e madhe, me Shtëpinë e Bardhë që miratoi të paktën 45 miliardë dollarë ndihmë direkte ushtarake përmes 47 transfertave të veçanta.