Vendosni fjalën kyçe....

Kultivuan 5 mijë rrënjë kanabis në parcelat me misër, arrestohen babë e bir dhe bashkëpunëtori i tyre, nën hetim kryeplaku dhe 3 policë


Tre persona janë vënë në pranga dhe 4 të tjerë nën hetim, ka qenë bilanci i operacionit antidrogë në fshatin Bishan të Vlorës ditën e djeshme.

Policia ka arrestuar Skënder Llanaj, Danielo Llanaj (babë e bir) si dhe një bashkëpunëtor të tyre, Durim Murataj ndërsa ka vënë nën hetim për shpërdorim detyre kryeplakun e fshatit Bishan, Bujar Hoxha dhe 3 punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vlorë. ‘Blutë’ asgjësuan 4930 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në një parcelë me misër, pranë parcelës ishte edhe një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.

Nga ky operacion u sekuestruan 198 kg kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjaku dhe një sasi fishekësh luftarak të fshehura në magazinë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, njofton policia.