Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Jashtme ruse bën thirrje për armëpushim në Gaza


Ministria e Jashtme ruse i kërkoi sot qeverisë izraelite të binte dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës për të lejuar dërgimin e ushqimit dhe ilaçeve në enklavën palestineze. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme ruse theksoi se bombardimi “pa dallim” i Rripit të Gazës, i cili shkakton kaq shumë vdekje në mesin e civilëve, është “i papranueshëm”.

Qeveria izraelite e bëri të qartë sot se nuk do të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës të rrethuar nëse Hamasi nuk liron të gjithë pengjet. Kryqi i Kuq kishte bërë thirrje që karburanti të lejohej të dërgohej në Gaza për të “parandaluar kthimin e spitaleve në morgje”.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse, thuhet se Mikhail Bogdanov dhe Hussein al-Sheikh ranë dakord për nevojën për një armëpushim që do të lejojë hapjen e korridoreve humanitare për dërgimin e ushqimit dhe ilaçeve për popullatën e Gazës. Ata ranë dakord gjithashtu që furnizimi me energji elektrike dhe ujë në enklavën palestineze, shtëpia e më shumë se 2.3 milionë njerëzve, duhet të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

“U theksua se bombardimet pa kriter që shkaktojnë viktima të shumta civile janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën përkatëse, ku theksohet gjithashtu se Rripi i Gazës duhet të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez, në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, shkruan Reuters.

Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Jashtme ruse tha se 4 rusë u vranë në sulmin vdekjeprurës nga Hamasi në jug të Izraelit, ndërsa fati i 6 të tjerëve nuk dihet. “Ne dënojmë fuqishëm çdo shprehje të ekstremizmit, terrorizmit, pengmarrjes, bllokadës, krijimit të qëllimshëm të kushteve të patolerueshme të jetesës dhe veprimeve të tjera të dhunshme kundër civilëve, si dhe përdorimin pa kriter të forcës gjatë operacioneve ushtarake”, theksohet në deklaratë.