Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi në veri të Kosovës, Basha nga KiE: Zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos, aleatët të mos e nënvlerësojnë këtë kërcënim serioz


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka deklaruar se Shqipëria dënon ashpër sulmet terroriste.

Basha është shprehur se vendi jonë qëndron pranë popullit dhe shtetit të Izraelit “në këtë kohë kritike për kombin e tyre dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”.

Basha u ndal edhe te sulmi terrorist i ndodhur në Veri të Kosovës, ku tha se anëtarët e BE-së dhe NATO-s nuk duhet t’a nënvlerësojnë apo të zvarritin trajtimin e këtij kërcënimi serioz, duke shtuar se nevojitet një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi më 24 shtator dhe sanksione kundër Serbisë.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë ju ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit, për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. 24 shtatori nuk mund të ndodhte pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Serbia ka nisur të realizoj idene e Botës Serbe.  24 shtatori, përpjekje për të detyruar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe rrëmbimit të territorit. Serbia dhe serbët përdoren si gurë shahu në lojën e ideuar nga Moska.

Zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos – minimin e krahut juglindor të NATO-s dhe hapjen e një fronti të ri në zemrën e Aleancës. Anëtarët e BE-së dhe NATO-s të mos e nënvlerësojnë apo të zvarritin trajtimin e këtij kërcënimi serioz.

Nevojitet një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi më 24 shtator, sanksione kundër Serbisë. Shtetet anëtare të BE-së nuk mund të veprojnë sikur asgjë  nuk ka ndodhur dhe  të ushqejnë me paratë e taksapaguesve evropianë një makineri shtetërore që punon për destabilizimin e rajonit dhe mbarë Europës. Katër vendet e mbetura të NATO-s duhet ta njohin Kosovën, si një kontribut për paqen në Evropë dhe të hapin rrugën për përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, ka deklaruar Basha.