Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, pasi akuzohen se përmes falsifikimit kanë shitur rreth 60 bileta false. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet Albano Osmani dhe Sokol Arapi, të dy banues në Tiranë. Këta dy persona akuzohet se i shisnin këto bileta deri në 400 euro.
“Vihen në pranga 2 shtetas që falsifikuan biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i shitën ato me çmime të larta. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë falsifikuar dhe shitur rreth 60 bileta të tilla, për këtë ndeshje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rastit të shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime shumë të larta, me anë të mashtrimit, që u godit ditën e djeshme, kanë vënë në pranga 2 nga shtetasit që ishin në hetim për këtë rast, konkretisht: A.O., dhe S. A., të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i kanë shitur ato me çmime deri në 400 euro. Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.