Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin siguroi Izraelin për mbështetje ndërsa ai dhe kryediplomati amerikan u takuan të premten me udhëheqësit izraelitë dhe arabë. Vizita e tij nuk dha shenja se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të parandalojnë një ofensivë tokësore të pritshme izraelite në Rripin e Gazës. Një zhvillim i tillë mund të përkeqësojë edhe më tej krizën humanitare për 2.3 milionë banorët palestinezë të këtij territori.
Vizitat e Sekretarëve Austin dhe Blinken në Lindjen e Mesme vijnë ndërsa Izraeli ka përshkallëzuar sulmet kundër militantëve të Hamasit si përgjigje ndaj sulmeve tronditëse e brutale të grupit të militantëve, fundjavën e kaluar.
Izraeli u kërkoi të premten rreth 1 milion civilëve të evakuohen nga Rripi i Gazës duke paralajmëruar për një sulm të mundshëm të trupave izraelite.
I pyetur mbi gjasat për viktima civile në Gazë, zoti Austin tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe shtoi se ai i respekton forcat izraelite, përcjell VOA.
“Ata janë profesionistë, janë të disiplinuar dhe janë të përqendruar në gjërat e duhura”, u tha ai gazetarëve pas takimit me ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe anëtarë të kabinetin izraelit të luftës. Zoti Austin bisedoi gjithashtu dhe me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Zoti Blinken ndau një mesazh të ngjashëm. Në një konferencë shtypi në Doha të Katarit ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të “diskutojë me Izraelin mbi rëndësinë e marrjes së çdo mase të mundshme për të shmangur dëmtimin e popullatës civilëve”, por shtoi se çdo vend “që do të përballej me atë që vuajti Izraeli, ka të ngjarë të bënte të njëjtën gjë”.
“Ajo që po bën Izraeli nuk është hakmarrje, por është mbrojtja e jetëve të popullit të tij”, tha zoti Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit dëgjoi gjithashtu kërkesat e autoriteteve arabe për hapjen e korridoreve të ndihmës për palestinezët e bllokuar në Gazë si dhe drojën e tyre se një ofensivë tokësore izraelite, mund të nxiste flukse të mëdha banorësh të këtij rajoni, drejt vendeve të tyre.
Përveç takimit të tij në Doha me ministrin e Jashtëm të Katarit, Blinken u takua edhe me Mbretin Abdullah të Jordanisë, i cili qeveris një vend me një popullsi të madhe palestineze. Po kështu zoti Blinken u takua dhe me Presidentin palestinez Mahmud Abbas, i cili drejton Autoritetin Palestinez që kontrollon Bregun Perëndimor.
Sipas një deklarate të autoriteteve jordaneze, Mbreti Abdullah paralajmëroi Sekretarin Blinken mbi rrezikun që “do sillte çdo përpjekje për të zhvendosur me forcë palestinezët nga të gjitha territoret palestineze ose për të shkaktuar zhvendosjen e tyre të brendshme, duke bërë thirrje për parandalimin e përhapjes së krizës në vendet fqinje dhe përkeqësimin e çështjes së refugjatëve”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se zoti Blinken diskutoi me mbretin e Jordanisë, mbi përpjekjet për lirimin e të gjithë personave të marrë peng nga militantët e Hamasit, si dhe përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e konfliktit.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austrin i pa nga afër disa nga armët dhe ndihmën e sigurisë që Uashingtoni ia dha me shpejtësi Izraelit pasi u sulmua. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se Shtetet Bashkuara i kanë dhënë tashmë Izraelit bomba me diametër të vogël, si dhe raketa interceptuese për sistemin e mbrojtjes ajrore “Iron Dome” dhe lloje të tjera armësh pritet të dërgohen atje në ditët e ardhshme.
Zoti Austin ka folur pothuajse çdo ditë me zotin Gallant dhe ka urdhëruar zhvendosjen e shpejtë të luftanijeve, avionëve dhe burimeve të tjera amerikane në Izrael dhe gjetkë në rajon.
Zoti Austin nuk pranoi të thoshte nëse Shtetet e Bashkuara po bëjnë fluturime vëzhgimi në rajon, por Shtetet e Bashkuara po ofrojnë informacione zbulimi dhe ndihma të tjera planifikimi për izraelitët, duke përfshirë këshilla për situatën e pengjeve.
Presidenti Joe Biden mori pjesë të premten në një takim virtual me familjet e 14 amerikanëve të cilët dyshohet se janë marrë penga nga Hamasi.
“Ata duhet ta dinë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po ndjek nga afër atë që po ndodhë”, tha zoti Biden për emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS të enjten. “Ne duhet t’i komunikojmë botës se kjo është kritike. Kjo nuk është sjellje njerëzore, por një barbarizëm i pastër. Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’i kthyer ata (pengjet) në vend, nëse mund t’i gjejmë.”
Shtëpia e Bardhë tha se në këtë takim morën pjesë edhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, i dërguari i posaçëm për çështjen e pengjeve, Roger Carstens, Nënsekretari i Shtetit, John Bass, dhe Brett McGurk, koordinator i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Lindjen e Mesme.
Në Doha, Sekretari i Shtetit Antony Blinken falënderoi Katarin për përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve. Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani tha se Katari po bënte më të mirën dhe se “në ditët e ardhshme do të dihet nëse do të ketë përparim”.
Sheiku Al Thani tha gjithashtu se hapja e kufijve humanitar në Rripin e Gazës është i domosdoshëm për t’u siguruar që ndihma mund “të arrijë vëllezërit tanë palestinezë në Rripin e Gazës”. Ai tha se civilët duhet të mbrohen dhe se “ndëshkimi kolektiv është i papranueshëm”.
Sekretari Blinken shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve të civilëve palestinezë në takimin e tij me udhëheqësin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbass, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Zoti Blinken “theksoi se Hamasi nuk po mban qëndrim në mbështetje të së drejtës së popullit palestinez për dinjitet dhe vetëvendosje. Ai “diskutoi mbi mënyrat për të përmbushur nevojat humanitare të civilëve në Rripin e Gazës ndërsa Izraeli po kryen operacione legjitime sigurie për t’u mbrojtur nga terrorizmi”, shtoi zëdhënësi Miller.
Sekretari Blinken do të bëjë një ndalesë të shkurtër në Bahrein dhe do ta përfundojë ditën në Arabinë Saudite, një vend kyç në botën arabe që ka marrë në konsideratë normalizimin e lidhjeve me Izraelin, një proces i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që tani është pezull.
Ai gjithashtu do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt gjatë fundjavës.