Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli gati për ofensivën tokësore në Gaza


Izraeli po përgatitet të nisë një inkursion tokësor në Rripin e Gazës, tha të enjten Channel 14 izraelit.

Kanali televiziv vuri në dukje se pritet miratimi në nivel politik.

“Nëse hyrja tokësore miratohet, forcat izraelite janë të përgatitura të qëndrojnë atje (në Gaza) për disa muaj,” tha ai.

Raporti thoshte se “qëllimi i qartë për ushtrinë në këtë fazë është çarmatosja e Rripit të Gazës”.

Forca Ajrore izraelite tha më herët gjatë ditës se ka hedhur “rreth 6,000 bomba kundër objektivave të Hamasit” në Gaza që nga sulmi i grupit palestinez të së shtunës.

Konflikti u përshkallëzua më 7 tetor kur krahu i armatosur i Hamas-it, Brigada Al-Qassam, nisi Operacionin Al-Aksa Flood kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit e ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte një hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpata e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007.