Vendosni fjalën kyçe....

“Këta nuk janë bunkerë për civilët e Gazës”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit: Tunelet e Hamasit, më të gjata se metroja e Londrës


Izraeli ka njoftuar se ushtria është duke bombarduar pjesë të mëdha të tuneleve që janë ndërtuar nën Rripin e Gazas nga grupi militant i Hamasit. Sulmet izraelite kanë vazhduar edhe të premten si shenjë hakmarrjeje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit që ka nisur më 7 tetor, raporton BBC.

“Rripin e Gazas e shoh si një shtresë për civilët dhe një tjetër shtresë për Hamasin. Po provojmë të gjejmë shtresën e dytë që ka ndërtuar Hamasi”, kanë njoftuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

“Tunelet nuk janë bunkerë për civilët. Janë vetëm për Hamasin dhe terroristët e tjerë që mund të vazhdojnë të lëshojnë raketa drejt Izraelit, të planifikojnë operacione dhe të nisin terroristë në drejtim të Izraelit”, kanë pretenduar Forcat Mbrojtëse.

Është shumë e vështirë të llogaritet gjerësia e rrjetit të tuneleve, të cilin Izraeli e ka cilësuar si “Metroja e Gazas”, sepse besohet se shtrihet në krejt territorin që ka 41 kilometra gjatësi dhe 10 kilometra gjerësi.

Pas konfliktit të vitit 2021, IDF-ja ka shembur 100 kilometra tunele me bombardimet ajrore. Hamasi ka pretenduar se tunelet shtrihen deri në 500 kilometra dhe se vetëm pesë për qind e tyre janë shkatërruar nga bombardimet. Sa për krahasim, metroja e Londrës është e gjatë 400 kilometra.

Ndërtimi i tuneleve në Gaza ka nisur para se Izraeli të tërhiqte ushtrinë në vitin 2005. Ndërtimi i këtyre tuneleve ishte përshpejtuar kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës dy vjet më vonë. Shkaku i tyre Izraeli dhe Egjipti ndalën transportin e mallrave brenda dhe jashtë Gazas për arsye të sigurisë.