Liga Arabe i kërkoi të premten Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të ndërhyjë për të parandaluar evakuimin e banorëve të Gazës.
Apeli i Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmad Aboul Gheit për Guterres vjen pas kërkesës së ushtrisë izraelite për të zhvendosur të gjithë popullsinë nga Gaza dhe pjesët e saj veriore drejt jugut të Gazës.
Aboul Gheit e përshkroi lëvizjen izraelite si “një krim lufte që Izraeli planifikon ta kryejë si pjesë e fushatës së tij të turpshme të përgjakshme kundër Rripit të Gazës”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe theksoi se plani izraelit i evakuimit “do të çojë në vuajtje të pakufizuara për vëllezërit tanë palestinezë në Gaza”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se kërkesa izraelite shkel në mënyrë të hapur Konventën e Katërt të Gjenevës që ndalon lëvizjen e detyruar të popullsisë, sipas AA.
Aboul Gheit i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë këtë plan izraelit dhe të ndalojë zbatimin e tij.
Ushtria izraelite vonë të enjten informoi OKB-në “që e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orëve të ardhshme”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë të enjten vonë.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite
Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin Al-Aksa Flood kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007.